Revizioni “nxori zbuluar” Kadastrën: Objekte pa evidencë, mosdelkarim të shpenzimeve dhe shkelje procedurash
Enti Shtetëror për Revizion ka identifikuar një sërë mangësish në punën financiare të Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme për vitin 2024, përfshirë mosregjistrimin e dy objekteve ndërtimore në librat kontabël, mosdeklarimin e shpenzimeve për restaurim si investime në vazhdim dhe të ardhura të shtyra, si dhe mangësi në procesin e inventarizimit të aseteve dhe burimeve të fondeve. Këto gjetje u konsideruan ndër më kryesoret në raportin e auditimit, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportit të Enti Shtetëror për Revizion, për vitin 2024 është dhënë një opinion i kualifikuar mbi vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare të Agjencisë, ndërsa për përputhshmërinë me legjislacionin, udhëzimet dhe politikat është dhënë opinion i pakualifikuar.
Në krahasim me auditimin e vitit 2017, ku ishte dhënë opinion i pafavorshëm për pasqyrat financiare dhe opinion i kualifikuar për përputhshmërinë, vihet re një përmirësim i pjesshëm në menaxhimin financiar. Megjithatë, zbatimi i rekomandimeve të mëhershme mbetet i paplotë. Nga pesë rekomandimet e dhëna në atë kohë, vetëm dy janë zbatuar plotësisht, një pjesërisht, një është ende në proces dhe një nuk është zbatuar fare.
“Enti Shtetëror për Revizion ka audituar pasqyrat financiare të Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme mbi llogarinë bazë të buxhetit për vitin 2024, së bashku me një auditim të përputhshmërisë. Me auditimin për vitin 2024, ne shprehëm opinion të kualifikuar mbi vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare dhe një opinion të pakualifikuar mbi përputhshmërinë me legjislacionin, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara. U krye një auditim dhe u lëshua një raport mbi pasqyrat financiare të Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme për vitin 2017, për të cilat u shpreh opinion i pafavorshëm mbi vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare dhe një opinion i kualifikuar mbi përputhshmërinë me legjislacionin, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara. Rishikimi i zbatimit të rekomandimeve të dhëna në Raportin Përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror për vitin 2017 u krye gjatë vitit 2020, kur u përcaktua se nga pesë rekomandimet e dhëna, dy rekomandime ishin zbatuar, një rekomandim ishte zbatuar pjesërisht, një rekomandim ishte në proces zbatimi dhe një rekomandim nuk ishte zbatuar”, thuhet në raport.
Auditimi gjithashtu evidenton çështje që lidhen me mungesën e një Numri unik identifikues për shoqëritë tregtare të themeluara nga shteti, si dhe rreziqet që vijnë nga procedurat gjyqësore në vazhdim, ku Agjencia paraqitet si palë, të cilat mund të kenë ndikim financiar në të ardhmen.
Gjatë procesit të auditimit, Agjencia ka pranuar një pjesë të korrigjimeve të propozuara, të cilat kanë ndikuar në rritjen e vlerës së aseteve fikse dhe burimeve të fondeve. Ndërkohë, drejtori i institucionit ka paraqitur komente mbi projekt-raportin, të cilat janë shqyrtuar dhe përfshirë në raportin përfundimtar, bashkë me arsyetimet për situatat e konstatuara dhe masat e ndërmarra për përmirësimin e tyre.
“Drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme paraqiti komente mbi Projekt-Raportin e revizorit shtetëror të Autorizuar, të cilat u shqyrtuan dhe u përfunduan si raport mbi arsyet e situatave të identifikuara, si dhe mbi aktivitetet e ndërmarra për tejkalimin e tyre”, thuhet në raport.
Me auditimin e kryer, ESHR përcaktoi situatat e mëposhtme:
- dy objekte ndërtimi për të cilat Agjencia ka fituar të drejtën e përdorimit të përhershëm të regjistruara në kadastrën e pasurive të paluajtshme, nuk janë regjistruar në regjistrat kontabël;
- shpenzimet për restaurimin e një objekti ndërtimi nuk janë deklaruar në regjistrat kontabël të llogarive për investime në vazhdim dhe të ardhura të shtyra;
- inventarizimi i aseteve dhe burimeve të fondeve nuk është kryer plotësisht në përputhje me rregulloret ligjore.
- Për të kapërcyer situatat e përcaktuara, auditimi dha rekomandime me qëllim marrjen e masave dhe aktiviteteve nga personat dhe autoritetet kompetente me qëllim përmirësimin e situatës.
Në seksionin Parashtrimi i pyetjeve, ESHR nori në pah situatat që lidhen me:
- caktimin e një Numri unik identifikues vetëm për organet shtetërore dhe personat juridikë të themeluar nga shteti, dhe jo për personat juridikë shoqëri tregtare të themeluara nga shteti, dhe
- procedurat gjyqësore në vazhdim në të cilat Agjencia është paditëse ose e paditur, rezultati i të cilave mund të ketë implikime financiare në të ardhmen. Gjatë auditimit, u pranuan korrigjimet e dhëna nga Enti Shteëror i Revizionit, të cilat rritën vlerën e aseteve fikse dhe burimeve të fondeve të Agjencisë.
Ndryshe, sipas raportit paraprak të Revizionit, Maqedonia e Veriut po përballet me krizë serioze demografike, me numrin e pensionistëve në rritje, ndërsa numri i të rinjve dhe fëmijëve është vazhdimisht në rënie. Sipas raportit,, arsyeja kryesore për trendet e tilla negative nuk është vetëm shkalla e ulët e lindjeve, por edhe rritja e emigrimit të popullsisë.
Revizioni, i cili mbulon periudhën nga viti 2014 deri në qershor 2024, tregon se pavarësisht masave të caktuara nga institucionet, nuk ofrohet kujdes i përshtatshëm për personat mbi 65 vjeç, as nuk garantohet qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit të pensioneve. Parashikimet demografike janë veçanërisht shqetësuese – deri në vitin 2055, pjesa e popullsisë mbi 65 vjeç pritet të kalojë 34 përqind, ndërsa numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet më shumë se gjashtë herë krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, popullsia në moshë pune do të ulet me rreth gjysmë milioni njerëz, gjë që do të rrisë më tej presionin mbi financat publike.