Sabri Aziri promovon librin e parë: Reflektime që ftojnë lexuesin të gjejë dritën brenda vetes

Në një mbrëmje të mbushur me art, muzikë dhe reflektim, sonte në Muzeun e VMRO-së do të promovohet libri i parë i autorit Sabri Aziri, me titull “Tingujt e Kosmosit” një vepër që sjell thënie dhe reflektime personale të frymëzuara nga jeta dhe filozofia, transmeton Portalb.mk.

Autori Sabri Aziri për Portalb.mk tha se ky libër është pasqyrim i rrugëtimit tij të brendshëm. Është ndërtuar nga jeta, nga sfidat, nga heshtja dhe nga momentet kur njeriu ndalet për ta dëgjuar vetveten. Mesazhi i tij për lexuesit është i thjeshtë: gjithçka që kërkojmë jashtë, në fakt ekziston brenda nesh.

“Frymëzimi im më i madh ka qenë vetë jeta, me të gjitha heshtjet, sfidat, pyetjet dhe përgjigjet që vijnë me kohën. Ky libër është pasqyrë e një rrugëtimi të brendshëm, i ndërtuar jo brenda një dite, por ngadalë, përmes përvojave, ndjenjave dhe mendimeve që janë formësuar natyrshëm gjatë viteve. Shpesh, frymëzimi ka lindur pikërisht në momentet më të thjeshta, atëherë kur njeriu ndalet dhe fillon ta dëgjojë veten. Mesazhi që kam dashur të përcjell është se gjithçka që kërkojmë jashtë, në të vërtetë gjendet brenda nesh. Ky libër nuk synon ta ndryshojë lexuesin, por ta ftojë atë drejt reflektimit dhe njohjes më të thellë të vetvetes. Në një botë ku vazhdimisht kërkojmë më shumë, besoj se paqja dhe plotësia burojnë nga pranimi i vetes dhe nga ajo që tashmë mbajmë brenda nesh. Siç them edhe në një nga thëniet e mia: ‘Liria nuk është të kesh gjithçka, por të mos të duhet asgjë për të qenë i plotë, tha Aziri.

Një nga thëniet që e ndjen më pranë vetes autori është: Mos kërko dritë jashtë vetes, kur brenda teje ka një univers që pret të ndriçojë.

“Kjo fjali, për mua, përmbledh thelbin e këtij libri dhe filozofinë që e mbart ai. Ajo më kujton se njeriu shpesh i kërkon jashtë vetes, ndërkohë që forca, drita dhe kuptimi ndodhen thellë brenda tij. Për mua, kjo nuk është thjesht një thënie, por një mënyrë të menduari dhe të jetuari”, tha Aziri.

Promovimi i këtij libri pritet të jetë më shumë se një ngjarje letrare, duke u shndërruar në një mbrëmje reflektimi, arti dhe komunikimi të drejtpërdrejtë me publikun.