Revizioni: Komunat në RMV nuk po i shfrytëzojnë plotësisht kapacitetet fiskale, mbi 47 milionë euro mbeten të paarkëtuara

Mangësitë në rregullativën ligjore, burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe aktivitetet e pamjaftueshme fiskale e kufizojnë kapacitetin e komunave për administrimin e tatimeve, taksave dhe kompensimeve lokale, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit. Sipas revizionit, këto dobësi kanë bërë që në periudhën 2020–2024 të mbeten të paarkëtuara mbi 47,7 milionë euro nga tatimet, taksat dhe kompensimet lokale, transmeton Portalb.mk.

“Komunat nuk i shfrytëzojnë plotësisht kapacitetet fiskale në dispozicion për mbledhjen e tatimeve, taksave dhe kompensimeve (arkëtimin me kohë, kamatën për pagesë të vonuar dhe zbatimin e arkëtimit të detyrueshëm), për shkak të së cilës kanë gjeneruar 2.934.384 mijë denarë (47.761.274 euro) kërkesa të paarkëtuara mbi bazën e tatimeve, taksave dhe kompensimeve në periudhën 2020–2024, ndërsa kanë kryer shlyerje të kërkesave në vlerë prej 233.895 mijë denarësh (3.803.170 euro). Nga gjithsej kërkesat e paarkëtuara mbi bazën e tatimit mbi pronën, 67% ose 1.163.814 mijë denarë janë më të vjetra se 5 vjet, gjë që tregon për përpjekje të dobëta fiskale të komunave. Softuerët LTAS, AZARO dhe ISF nuk mundësojnë ndjekje reale të arkëtimit, pasi nuk mund të identifikohet se sa nga shuma e arkëtuar i përket detyrimeve të viteve të mëparshme, përveç zgjidhjes së softuerit „Komuna“, e cila mundëson ndjekjen e arkëtimit të rregullt të aktvendimeve të lëshuara për vitin rrjedhës. Vetëm tri taksa komunale (firma, përkatësisht emërtimi i hapësirës afariste, shfrytëzimi i hapësirës para objektit afarist dhe shfrytëzimi i shesheve dhe hapësirave të tjera në qytete dhe vendbanime të tjera) administrohen dhe arkëtohen në më shumë se 50% të komunave, ndërsa 5 taksat e tjera komunale administrohen dhe arkëtohen në më pak se 25% të komunave”, thotë ESHR.

Revizioni vlerëson se masat dhe politikat aktuale nuk sigurojnë administrim efikas të të hyrave vetanake të komunave. Korniza ligjore nuk mundëson përditësimin automatik të regjistrit të pronave, ndërsa metodologjia për vlerësimin e objekteve konsiderohet e vjetruar dhe nuk e pasqyron vlerën reale të tregut, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e bazës tatimore dhe të të hyrave komunale.

Raporti evidenton gjithashtu mungesë të koordinimit institucional, regjistra të paplotë të pronave, softuerë të papërshtatshëm dhe mungesë të stafit profesional. Në nivel vendi, vetëm 16 inspektorë tatimorë komunalë dhe një inspektor nga Drejtoria e të Hyrave Publike mbikëqyrin zbatimin e detyrimeve tatimore, ndërsa shumica e komunave nuk i shfrytëzojnë plotësisht mekanizmat për arkëtimin e detyrueshëm të borxheve.

“Për më tepër, mbikëqyrja e vendosur në mënyrë jopërkatëse në nivel qendror dhe lokal, me vetëm një inspektor nga ana e Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe vetëm 16 inspektorë tatimorë në të gjitha komunat, të cilët kryejnë kontroll nëse tatim paguesit e kanë paraqitur detyrimin e tyre për tatim ose taksë komunale, ndërsa nuk kanë kompetencë të shqiptojnë gjoba, nuk është efikase. 5 Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve nga institucionet kompetente, për krijimin e kushteve që do të kontribuojnë në përmirësimin e procesit të përgjithshëm të administrimit të tatimeve, taksave dhe kompensimeve lokale”, thuhet në raport.

Sipas revizionit, 67% e borxheve të paarkëtuara për tatimin në pronë janë më të vjetra se pesë vjet, ndërsa vetëm 15 komuna kanë kryer rivlerësimin e vlerës së tregut të pronave. Për tejkalimin e këtyre dobësive, Enti Shtetëror i Revizionit ka rekomanduar reforma ligjore dhe institucionale për të përmirësuar administrimin dhe arkëtimin e tatimeve, taksave dhe kompensimeve lokale.

“Mungesa e kritereve të përcaktuara qartë për miratimin dhe pagesën me këste të kompensimit për rregullimin e tokës ndërtimore, praktika e ndryshme në sigurimin e kërkesave (garanci bankare dhe deklaratë noteriale), si dhe monitorimi jo i plotë i arkëtimit, kanë rezultuar, në 14 komuna të akumulohen kërkesa të paarkëtuara në vlerë prej 826.399 mijë denarë, për periudhën 2020–2024. Me analizën e kryer të të dhënave për të ardhurat e realizuara mbi bazën e tatimeve, taksave dhe kompensimeve, konstatuam se në përgjithësi komunat rurale, me përjashtim të komunave: Petrovec, Ilinden dhe Çuçer-Sandevo, kanë kapacitet fiskal më të dobët në krahasim me komunat urbane”, thonë nga ESHR.

Kujtojmë se raporti paraprak i revizionit për Agjencinë për Rezervat e Detyrueshme të Naftës (MAKORA) evidenton një sërë mangësish në menaxhimin financiar dhe në respektimin e legjislacionit në fuqi. Gjetjet tregojnë dobësi në planifikimin dhe administrimin e rezervave strategjike të naftës, si dhe në zbatimin e procedurave ligjore dhe administrative. Këto mangësi ndikojnë jo vetëm në funksionimin e institucionit, por edhe në aftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë energjetike dhe për të menaxhuar rezervat strategjike në mënyrë efikase.