Kallëzim penal për evazion fiskal, dyshohet se buxheti i RMV-së u dëmtua me mbi 8 milionë denarë
Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Strugës kundër një personi fizik – pronar dhe drejtues i një personi juridik, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Evazion fiskal”, sipas nenit 279 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
I dyshuari i parë, S.Z., në cilësinë e pronarit dhe drejtuesit të subjektit juridik të dyshuar të dytë, me vetëdije dhe me qëllim të paramenduar për të përfituar dobi pasurore të kundërligjshme për vete dhe për subjektin juridik, ka kryer veprën penale “Evazion fiskal”, duke përvetësuar pa bazë mallra tregtare të evidentuara si stok te subjekti juridik deri më 31 dhjetor 2025, me vlerë totale prej 26.085.138 denarësh.
Me këtë rast, ai nuk ka llogaritur, deklaruar dhe paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me normë prej 18% në shumën 4.231.907 denarë dhe TVSH me normë prej 5% në shumën 128.727 denarë, si dhe nuk ka llogaritur, deklaruar dhe paguar tatimin mbi të ardhurat personale me normë prej 11,11% në shumën 2.898.059 denarë.
Përveç kësaj, S.Z. nuk i ka njohur si të ardhura detyrimet e vjetruara dhe të papaguara në shumën totale prej 8.120.980 denarësh, të paraqitura në bilancin bruto për vitin 2025, edhe pse, sipas nenit 363 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, ato parashkruhen brenda tre vjetësh dhe për to nuk ishin iniciuar procedura gjyqësore për arkëtim.
Edhe pse kishte detyrim të dorëzonte bilancin tatimor për vitin 2025 dhe të paraqiste detyrimin tatimor, i dyshuari i parë nuk ka dorëzuar fare bilancin tatimor, si dhe nuk ka llogaritur, deklaruar dhe paguar tatimin mbi fitimin me normë prej 10% në shumën 812.098 denarë.
Me këto veprime, të dyshuarit nuk kanë llogaritur, deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore të përcaktuara me ligj, duke i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në shumën totale prej 8.070.791 denarësh.