Mozilla: Aplikacionet për ndjekjen e ciklit menstrual ndajnë të dhëna të ndjeshme me kompani të tjera
Disa nga aplikacionet më të njohura për ndjekjen e ciklit menstrual ndajnë informacione të ndjeshme të përdorueseve të tyre me kompani teknologjike dhe të marketingut, tregon një hulumtim i ri i fondacionit Mozilla, transmeton Portalb.mk.
Studiuesit analizuan aplikacionet Flo, Clue, Stardust, Spot On, Period Calendar dhe Euki. Sipas raportit, disa prej tyre kanë mekanizma të fortë për mbrojtjen e privatësisë, ndërsa të tjera ndajnë të dhëna me kompani si Google, Meta dhe TikTok, por edhe me kompani më pak të njohura.
Ndër informacionet që mund të mblidhen dhe të ndahen janë të dhënat për shtatzëninë, përdorimin e kontraceptivëve, gjendjen emocionale dhe simptoma të ndryshme shëndetësore. Edhe pse kjo praktikë nuk është gjithmonë e paligjshme, ekspertët paralajmërojnë se bëhet fjalë për të dhëna personale veçanërisht të ndjeshme.
Mozilla e vlerësoi më së larti aplikacionin Euki, i cili i ruan të dhënat shëndetësore vetëm në telefonin e përdoruesit dhe nuk kërkon hapjen e një llogarie. Kjo mundëson përdorimin anonim të aplikacionit, pa dërgimin e të dhënave në serverët e kompanisë.
Edhe Flo dhe Clue morën vlerësime të mira për transparencën dhe opsionet e detajuara të privatësisë. Megjithatë, ato mbledhin më shumë informacione dhe i ruajnë në serverët e tyre, gjë që mund të krijojë rrezik shtesë në rast të një sulmi hakerik ose të një kërkese zyrtare për qasje në të dhënat.
Studiuesit rekomandojnë që përdoruesit, para se të instalojnë një aplikacion, të kontrollojnë se kush ka qasje në informacionet e tyre shëndetësore, ku ruhen të dhënat, me kë ndahen ato dhe cila ka qenë praktika e deritanishme e aplikacionit në mbrojtjen e privatësisë.