Revista spanjolle: Shqipëria në qendër të udhëtimit magjepsës në Ballkan
Ballkani po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Evropë, duke tërhequr këtë vit një vëmendje të jashtëzakonshme nga vizitorët ndërkombëtarë, shkruan Pablo Sanchez-Montanes në një artikull të botuar në revistën spanjolle “La Vanguardia”, raporton ABC.
Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina po dallohen si pika kyçe të këtij itinerari të ri turistik, falë kombinimit të peizazheve natyrore, trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të ofertës turistike, që po e pozicionon rajonin si një alternativë gjithnjë e më konkurruese kundrejt destinacioneve tradicionale mesdhetare.
Një nga itineraret më të kërkuara turistike në Evropën Juglindore përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke ofruar një udhëtim unik mes bregdetit Adriatik, qyteteve historike dhe peizazheve malore mbresëlënëse.
Ajo që vihet re është kombinimi në qytete mesjetare, peizazhe bregdetare të Adriatikut dhe vendet me trashëgimi të pasur kulturore në një përvojë 10-ditore.
Shqipëria si pikë qendrore;
Shqipëria luan një rol qendror, duke ofruar një hyrje të plotë në Ballkanin perëndimor.
Nga Tirana dinamike, te Shkodra historike dhe veriu malor i vendit, Shqipëria paraqitet si një destinacion që kombinon autenticitetin, historinë dhe peizazhet natyrore.
Kryeqyteti shqiptar është një shembull i transformimit urban në rajon, ndërsa zonat veriore pasqyrojnë një trashëgimi të thellë historike dhe natyrore që mbetet ende e paprekur nga turizmi masiv.