Reporterët pa Kufij: RMV ka mediat më të lira në Ballkan, por ende të ekspozuara ndaj presioneve politike
Në ditën e lirisë së mediave, Gazetarët Pa Kufij kanë publikuar raportin për Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit. Maqedonia e Veriut e radhitur në vendin e 38-të, pas saj Mali i Zi në vendin e 39, janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.
“Maqedonia e Veriut mbetet në gjysmën e dytë të vendeve të BE-së/Ballkanit, por ka potencial real për ndryshim, ashtu si Mali i Zi dhe Kosova. Kohët e fundit janë ndërmarrë masa sistematike për rritjen e vlerësimit të sigurisë dhe ligjore, përkundër sulmeve të vazhdueshme ndaj gazetarëve: hyrja në fuqi e amendamenteve që dhuna kundër gazetarëve të konsiderohet si rrethanë rënduese dhe caktimi i një prokurori special në Shkup për të trajtuar rastet e gazetarëve”, thotë Pavol Salaj, kreu i zyrës BE/Ballkan të Reporterëve pa Kufij.
Në analizën e situatës me mediat në Maqedoni, më tej thuhet se ato vazhdojnë të përballen me financime jotransparente dhe jostabile, konflikt interesash, presione politike, fushata shpifëse dhe ngacmime në rrjetet sociale.
Vendin e parë në listë e zë Norvegjia, para Irlandës, Danimarkës, Suedisë dhe Finlandës, dhe në fund janë Koreja e Veriut, Kina dhe Vietnami.
“Edhe pse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, keqinformimi i përhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media, gjë që ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Për më tepër, zyrtarët qeveritarë priren të kenë qëndrime të dobëta dhe nënçmuese ndaj gazetarëve”, thuhet në raport.
Më poshtë po ua përcjellim raportin e përmbledhur të Reporterëve pa kufinj mbi gjendjen e mediave në Maqedoninë e Veriut:
Peizazhi mediatik
Megjithëse televizioni është burimi dominues i informacionit, mediat online luajnë një rol të rëndësishëm. Megjithatë, duhet bërë një dallim midis redaksive profesionale online që punësojnë gazetarë profesionistë dhe publikojnë përmbajtje origjinale, dhe portaleve individuale që plagjiaturojnë dhe kopjojnë përmbajtje të tillë. Ekziston gjithashtu një hendek i madh midis përdorimit dhe besimit: stacionet televizive më të ndjekura kanë indeks të ulët besueshmërie.
Konteksti politik
Mjedisi i përgjithshëm mbetet i favorshëm për lirinë e shtypit dhe lejon raportim kritik, megjithëse transparenca e institucioneve është mjaft e dobët. Për shkak të polarizimit të fortë politik, media mund t’i nënshtrohet presionit nga autoritetet, politikanët dhe biznesmenët. Dy partitë më të mëdha (në pushtet dhe në opozitë) kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Transmetuesit publik i mungon pavarësia editoriale dhe financiare.
Kuadri ligjor
Ndërsa kushtetuta garanton lirinë e fjalës dhe ndalon censurën, vendi ka mbetur prapa për sa i përket harmonizimit të legjislacionit të medias me standardet e Bashkimit Evropian, të cilit synon t’i bashkohet. Abuzimi gjyqësor me Ligjin për Përgjegjësinë Civile për shpifje nxit autocensurën në media. Paditë përdoren si mjet për frikësimin dhe presionin ndaj mediave të pavarura. Një projekt-ligj për të ri-autorizuar qeverinë për të reklamuar në media private ka ngritur shqetësime për rritjen e mundshme të ndikimit.
Konteksti ekonomik
Ndonëse disa lloje të përqendrimit mediatik janë të ndaluara me ligj, redaksitë e disa prej kanaleve kryesore televizive janë të ekspozuara ndaj presioneve ekonomike nga pronarët e tyre. Financimi shtetëror është i kufizuar dhe jo transparent dhe media e pavarur mbështetet shumë te donatorët. Grantet e huaja të bazuara në projekte kontribuojnë thjesht për mbijetesën, por jo për zhvillimin e mëtejshëm. Ekziston një tregti e ndikimit midis agjencive të marketingut dhe disa mediave.
Konteksti sociokulturor
Megjithëse nuk ka kufizime të qarta në mjedisin social dhe kulturor që ndikojnë në gazetarinë e lirë, rrjetet sociale dhe sfera digjitale në përgjithësi favorizojnë përhapjen e dezinformatave dhe kërcënimeve kibernetike. Të kombinuara me standarde të ulëta profesionale, ato kontribuojnë në rënien e besimit të publikut në media dhe hapin rrugën për sulme ndaj gazetarëve në bazë të kritereve gjinore, etnike apo fetare.
Siguria
Gazetarët janë rregullisht objektiv i sulmeve verbale. Nën pretekstin e mbrojtjes së sekreteve shtetërore dhe të të dhënave personale, ata mund të ekspozohen ndaj presionit ligjor dhe ndjekjes penale abuzive (procedurat e padive ose SLAPP). Megjithatë, gjykatat priren të mbështesin lirinë e shtypit dhe të mbrojnë gazetarët. Në kryeqytet, u emërua një prokuror special për të trajtuar rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe hapja e zyrave të ngjashme në të gjithë vendin është në shqyrtim.
Me rastin e 3 majit – Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, Presidenti Stevo Pendarovski dërgoi mesazh, në të cilin tha se kjo ditë po festohet në kuadrin e krizave të shumta që pushtojnë të sotmen tonë.
“Politikanët, qeveria, opozita, sektori civil – të gjithë duhet të jemi të bashkuar dhe të zëshëm për të garantuar të drejta më të mëdha, siguri dhe kushte pune për gazetarët dhe punonjësit e medias, në mënyrë që ata të kryejnë profesionalisht detyrën e tyre të përgjegjshme. Të informojë shpejt, saktë dhe pa censurë, pa presione politike apo biznesi. Ndërsa së bashku me gazetarët, të luftojmë kundër lajmeve të rreme, sepse qytetarët kanë të drejtën e informacionit të saktë, në kohë dhe të verifikuar”, thuhet në mesazhin e Pendarovskit.
Kujtojmë se në raportin e vitit 2022, mosndëshkueshmëria për kërcënimin dhe vrasjen e gazetarëve ishin shqetësimii vazhdueshëm në mbarë botën, si një pengesë për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe një kontribues i frikshëm i autocensurës. Mungesa e ndëshkueshmërisë, ishte gjithashtu problem edhe në vendin tonë. Situata me reformat në sektorin e medias mbeti e pandryshuar gjatë gjithë vitit 2021 krahasuar me vitet e kaluara. Edhe vitin paraprak, efekti i dëmshëm i dezinformatave ishte i dukshëm, i prekshëm dhe ndikonte konkretisht në kualitetin e jetës dhe në zhvillimin e shoqërisë dhe mirëqenies.