Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit: Pandëshkueshmëria shqetësuese në nivel të Maqedonisë dhe ndërkombëtarisht

Mosndëshkueshmëria për kërcënimin dhe vrasjen e gazetarëve mbetet shqetësim i vazhdueshëm në mbarë botën, si një pengesë për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe një kontribues i frikshëm i autocensurës. Mungesa e ndëshkueshmërisë, është gjithashtu problem edhe në vendin tonë. Situata me reformat në sektorin e medias mbeti e pandryshuar gjatë gjithë vitit 2021 krahasuar me vitet e kaluara, përveç në fushën e legjislacionit, ku ka një hap pozitiv, por që ende nuk është miratuar nga Kuvendi i RMV-së. Ndërkohë efekti i dëmshëm i dezinformatave është i dukshëm i prekshëm dhe ndikon konkretisht në kualitetin e jetës sonë dhe në zhvillimin e shoqërisë dhe mirëqenies. Këto janë disa nga shqetësimet kombëtare dhe ndërkombëtare që e gjejnë edhe këtë vit Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, transmeton Portalb.mk.

Për periudhën 2016-2020, UNESCO regjistroi 400 vrasje të gazetarëve në raportin e fundit “Kërcënimet që heshtin: Tendencat në sigurinë e gazetarëve”. Kjo shifër ka rënë rreth 20 për qind krahasuar me pesëvjeçarin paraprak.

Ndërsa vrasjet e gazetarëve janë ulur, shkalla globale e pandëshkueshmërisë ka mbetur shumë e lartë dhe gati nëntë nga dhjetë raste (87 përqind) të vrasjeve të gazetarëve mbeten të pazgjidhura. Hulumtimi i UNESCO-s në vitin 2021 konfirmon atë që shumë kanë dyshuar prej kohësh: në nivel vendi, vrasjet e gazetarëve dhe shkalla e mosndëshkimit janë zakonisht proporcionale dhe shkalla e lartë e vdekjeve shoqërohet me shkallë të lartë mosndëshkimi.

Teofil Bllazhevski, redaktor dhe gazetar në “Vërtetmatës” dhe anëtar i organeve kryesore të SPGPM dhe KEMM, thotë se liria e medias nuk është kategori konstante, gjegjësisht nuk ka garanci që liria e fituar njëherë, është fituar përgjithmonë. Këtë, sipas tij e tregojnë përvojat moderne nga demokracitë e etabluara, siç ishte gjendja e lirive të mediave dhe kërcënimet ndaj tyre gjatë kohës së Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, apo situata aktuale në regjimet autokratike, siç është sot në Rusi, për shembull, që është shumë më e keqe se situata në të njëjtin vend para datës 24.02.2022 kur Rusia sulmoi Ukrainën ose situata me lirinë e medias në Hungari e cila konsiderohet një vend me liri të kufizuara mediatike.

Teofil Bllazhevski
Teofil Bllazhevski

“E tillë është edhe gjendja jonë aktuale e lirisë në media. Nëpërgjithësisht respektohet, këtë e pranojnë edhe të gjitha raportet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, por kërcënimet dhe sulmet ndaj lirisë së medias janë ende të pranishme dhe mund të grupohen në disa faktorë. Faktorët politikë – dëshira e elitave politike si në pushtet ashtu edhe në opozitë për të pasur njëfarë kontrolli mbi hapësirën mediatike; faktorët ekonomik – treg i varfër mediatik që e përdorë biznesi dhe elitat politike për të ushtruar ndikimin e tyre nëpërmjet reklamave në media; pozita e dobët socio-ekonomike e gazetarëve – që çon në autocensurë dhe liri të kontrolluar të fjalës; legjislacioni që rregullon fyerjen dhe shpifjen – faktor i rëndësishëm në shprehjen e lirë të mediave dhe sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve dhe dënimin ose mosndëshkimin e tyre”, vlerëson Bllazhevski.

Të gjithë këta faktorë, shton tutje Bllazhevski janë ende të pranishëm në Maqedoni dhe akoma janë kërcënim për lirinë e mediave. Konkluzioni do të ishte se për lirinë e medias duhet bërë përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin dhe ruajtjen e saj, ashtu si edhe për të fituar dhe ruajtur të drejtat dhe liritë themelore të fituara njëherë të qytetarëve. “Asnjë liri, madje as liria e medias, nuk jepet njëherë e përgjithmonë”, thotë ai.

Nga ana tjetër Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, vlerëson se me pak përjashtime, mediat në vendin tonë vazhdojnë të mbeten të ndara përgjatë vijave politike dhe mediat private shpesh janë të lidhura me interesa politike ose biznesi që në një mënyrë apo në tjetrën ndikojnë në përmbajtjen e tyre. Por, megjithatë, thotë ai, ekzistojnë media të pavarura dhe kritike, edhe pse ata janë kryesisht në internet si që është Portalb.mk dhe Meta.mk.

“Me rëndësi është se, edhe pse ende ka raste të presioneve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve, siguria e tyre është në rritje ne krahasim me vitet e kaluara. Nga ana tjetër, sfidat janë të shumta, ndër to, prania e gjuhës së urrejtjes dhe mosndëshkueshmëria e autorëve që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes. Kjo dukuri cenon lirinë e shprehjes pasi drejtpërdrejt kontribuon në uljen e nivelit të kulturës së dialogut publik, dhe cungon debatin social dhe politik, veçanërisht onlajn. Pastaj, numri i madh i lajmeve të rreme dhe dezinformatat vazhdojnë të jenë problem serioz që zvogëlojnë besimin edha ashtu të ulët të qytetarëve në institucionet dhe ndikojnë në dobësimin e demokracisë në përgjithësi. Aktorë të ndryshëm me agjendë të dëmshme që shpesh e kanë origjinën jashtë kufijve por, me ndihmën e aktorëve nga vendi, përmes fushatave dezinformuese shkaktojnë radikalizim mes grupeve te ndryshme të qytetarëve ndërkohë që me përdorimin e internetit ato dezinformata përforcohen për të krijuar kaos, për të shkaktuar frikë, urrejtje dhe për të përhapur opinione të njëanshme në grupe te kundërta njerëzish me qëllim që të shkaktohen trazira”, thotë Jashari.

Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis
Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis

Më tej, ai shton se, në rajonin tonë, ky ndikim synon të prishë proceset e vazhdueshme të konsolidimit të institucioneve demokratike, duke shfrytëzuar dhe thelluar ndarjet ekzistuese etnike, fetare, ekonomike dhe ideologjike apo partiake.

“Efekti i dëmshëm i dezinformatave është i dukshëm i prekshëm dhe ndikon konkretisht në kualitetin e jetës tone dhe në zhvillimin e shoqërisë dhe mirëqenies. Prandaj të gjithë sektorët e shoqërisë, qeveria, OJQ, mediat, akademia, duhet te bashkëpunojnë dhe të krijojnë strategji afatshkurtër dhe afatgjatë me mekanizma efikas për t’iu kundërvënë këtij fenomeni përçarës dhe të dëmshëm. Fillimisht, mediat duhet të rrisin profesionalizmin dhe relevancën e përmbajtjeve që publikojnë, OJQ dhe institucionet arsimore të punojnë në rritjen e nivelit të shkrim-leximit mediatik dhe aftësitë e të menduarit kritik te popullata, institucionet qeveritare të jenë më transparente, të krijohet kornizë ligjore e cila do të sigurojë ambient për punë të sigurt të gazetarëve dhe gjuha e urrejtjes të ndëshkohet”, thekson Jashari.

Raportet në Maqedoninë e Veriut, si ai i Metamorfozis-it, vlerësojnë problemet kryesore në media vazhdojnë të mbeten për t’u zgjidhur në periudhën e ardhshme dhe kjo, para së gjithash, ka të bëjë me çështjet e kornizës strategjike, sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, financimin e mediave me para publike, transmetuesin publik dhe rolin e tij real, i cili është ende në pritje për t’u njohur nga shteti, si dhe roli i procesit të vetë-rregullimit në media që duhet të forcohet, veçanërisht në fushën e qëndrueshmërisë, por edhe zbatimi më i madh i vendimeve të marra nga Komisioni i Ankesave pranë KEMM-së. Në pika të përgjithshme, i shpjegojmë këto procese veç e veç.

Problemi i financimit të mediave me para publike mbetet në nivel shqetësues, por me indikacion se një pjesë e madhe e vetë mediave komerciale jo vetëm që nuk shqetësohen, por edhe avokojnë hapur për përdorimin e fondeve buxhetore si burim të rëndësishëm të financimit të tyre, sidomos në kushtet fondeve të reduktuara nga tregu i marketingut. Këtu, para së gjithash, mendohet për pagesat nga buxheti për mediat nëpërmjet mekanizmit të monitorimit të fushatës zgjedhore, të inkorporuar disa vite më parë në Kodin Zgjedhor, përmes të cilit në çdo zgjedhje shumicës së transmetuesve komercialë, qindra mediave online dhe shumë botimeve të shtypura ditore dhe javore, për këtë shërbim u paguhen nga rreth 3,5 deri në rreth 5 milionë euro, në varësi të llojit të zgjedhjeve.

Foto: Pixabay

Nga SHGM dhe Sindikata e Gazetarëve kanë inicuar disa  ndryshime në Kodin Penal me qëllim që të sigurohet mbrojtje më e madhe ndaj punëtorëve mediatikë megjithatë miratimi i ligjeve po zvarritet me vite të tëra nga institucionet shtetërore.

Sidoqoftë, sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve apo ekipeve të mediave ose të paktën ato që janë denoncuar, siç mund të vërehet në ueb-faqen e ShGM-së, nga viti më vit kanë shënuar rënie. Nëse në vitin 2020 ishin raportuar 14 sulme, në vitin 2021 janë rpaortuar pesë, ndërsa gjatë këtij viti, deri tani është vetëm një rast.

Nga ana tjetër fenomeni i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj punonjësve mediatik nuk kaloi pa u theksuar edhe në Raportin e Progresit vitin e kaluar, madje u tërhoq vëmendja se punonjësit mediatik përballen edhe me një sërë problemesh bazike të natyrës sociale.

“Rastet e dhunës fizike dhe verbale si dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias u shtuan. Kushtet e punës së gazetarëve, me theks të veçantë të drejtat e tyre të punës dhe ato sociale duhet ende të përmirësohen ndjeshëm, veçanërisht në nivel lokal. Anketa e bërë nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve ka treguar se 23% e punonjësve të medias nuk kanë sigurime shëndetësore dhe sociale, 19% janë përgjigjur se menaxhmenti i medias nuk i lejon punëtorët të formojnë sindikatë. Të ardhurat e ulëta, si dhe mosrespektimi i ligjit për marrëdhëniet e punës nga punëdhënësit janë më së shumti sfida të përbashkëta dhe të vazhdueshme për gazetarët”, theksohet në Raport.

Ndryshe, 3 maji u shpall si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s. Që atëherë, kjo datë festohet në mbarë botën si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Pas 30 vjetësh, lidhja historike e krijuar midis lirisë për të kërkuar, për të dhënë dhe për të marrë informacion dhe të mirën publike mbetet po aq e rëndësishme sa ishte në kohën e nënshkrimit të saj.

3 maji shërben si një kujtesë për qeveritë për nevojën për të respektuar angazhimin e tyre për lirinë e shtypit. Është gjithashtu një ditë reflektimi mes profesionistëve të medias për çështjet e lirisë së shtypit dhe etikës profesionale. Është një mundësi për të: respektuar parimet themelore të lirisë së shtypit; të vlerësohet gjendjen e lirisë së shtypit në mbarë botën; të mbrohen mediat nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre; dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button