Turizmi vijon të jetë një motor i fuqishëm për ekonominë shqiptare edhe në muajt e parë të vitit 2025, raporton Klan. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, turistët e huaj kanë shpenzuar në Shqipëri rreth 874 milionë Euro, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar dhe më shumë se dyfish në raport me periudhën para pandemisë.
Kjo rritje tregon se Shqipëria jo vetëm po tërheq më shumë turistë, por edhe vizitorë me profil më të lartë ekonomik, të cilët qëndrojnë më gjatë dhe konsumojnë më shumë, edhe jashtë sezonit veror.
Ndërkohë, edhe shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë vendit, me shpenzime që kapin shifrën 579 milionë Euro për të njëjtën periudhë.
Pavarësisht kësaj, bilanci neto i turizmit mbetet pozitiv për vendin, me një diferencë prej mbi 295 milionë Euro në favor të ekonomisë shqiptare, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Nga ana tjetër, të ardhurat nga punësimi i emigrantëve shqiptarë jashtë vendit vazhdojnë të rriten ndjeshëm, duke arritur 155 milionë Euro në tremujorin e parë të vitit 2025, një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe investimet e huaja direkte vijojnë të mos ndalen, të fokusuara kryesisht në tregun e pasurive të patundshme.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përgjatë kësaj periudhe ky zë arriti në 354 milionë Euro, me një rritje prej 2.2% krahasuar me një vit më parë, e mbështetur kryesisht nga fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve ekzistuese.