Viti shkollor përfundoi me terrene sportive të dëmtuara dhe pa salla sportive për disa shkolla të Tetovës 

Shumica e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë vitin shkollor e përmbyllën me terrene sportive të dëmtuara dhe pa salla sportive. Pavarësisht se pati disa intervenime në disa shkolla, në shumicën prej tyre nuk ‘lëvizi as një gur’, shkruan Portalb.mk. 

Mungesë e rrjetave të shtyllave të futbollit, mungesë e koshave të basketbollit, mungesë e rrjetave të volejbollit, mungesë e terreneve sportive, asfalt i krisur dhe kullosa të pakositura.

Me pak fjalë kjo është gjendja e shumë terreneve sportive dhe oborreve të shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës. Gjashtë nga tetë shkollat fillore nuk kanë as salla sportive. 

Ndonëse këtë vit shkollor i cili sapo përfundoi u rikonstruuan terrenet sportive në shkollën fillore “Istikball” dhe shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtenj”, shumica e shkollave mbeten në gjendjen e njëjtë. 

I pyetur për këtë gjendje, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kanë plan gjithëpërfshirës për përmirësimin e kushteve në shkolla. 

“Jemi në komunikim të afërt me Ministrinë e Arsimit, në kuadër të gjithashtu një projekti që është kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare që e ka marrë Qeveria, me çka do të përmbyllet projekti i ndërtimit të sallave sportive nëpër gjithë shkollat e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Tetovës është e paraparë me gjashtë salla sportive, që janë kryesisht shkollat fillore në qytet”, tha Kasami. 

Me salla të reja pritet të bëhen shkollat “Migjeni,” “Naim Frashëri,” “Liria,” “Kirili dhe Metodi,” “Istikball,” dhe “Skënderbeu” në Xhepçisht. 

Ndërkaq ndërtimi i tyre pritet të fillojë këtë vit. 

Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasamit, premtohet se terrenet sportive do të rikonstruohen. 

Te pjesa e arsimit, konkretisht në faqe 8 thuhet: 

“Restaurimin e stadiumeve dhe terreneve argëtuese në kuadër të shkollave”. 

Megjithatë, gati tre vite e gjysmë më pas që nga ndryshimi i udhëheqësisë komunale, ky premtim nuk është realizuar ende në të gjitha shkollat.