Reklamimi për zgjedhjet lokale do të kushtojë 6,5 milionë euro, në KSHZ janë regjistruar 329 media

Kandidatët në zgjedhjet e ardhshme lokale do të mund të reklamohen në 329 media në vend. Nga gjithsej 352 kërkesa të paraqitura për regjistrim në listën e radiodifuzerëve, mediave të shtypura, mediave elektronike dhe portaleve online për zgjedhjet lokale të vitit 2025, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i është përgjigjur pozitivisht 33 televizioneve, 42 radio stacioneve, tetë mediave të shtypura dhe 246 portaleve internet, transmeton Portalb.mk.

“Kanë arritur 352 kërkesa për regjistrim në listë, ndërsa në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 399 lista çmimesh për reklamim politik të paguar”, deklaroi Svetllana Karapetrova, anëtare e KSHZ-së.

Kërkesat e 22 subjekteve juridike – dy televizione, pesë radio stacione, një media e shtypur dhe 15 portale interneti – janë refuzuar si të parregullta ose të dorëzuara me vonesë, theksoi Karapetrova.

Ajo shtoi se janë dorëzuar edhe dy lista çmimesh për regjistrim në listë, por pa kërkesë zyrtare nga subjektet përkatëse, ndaj edhe ato janë refuzuar si të parregullta.

Buxheti i përgjithshëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale 2025 është 9,76 milionë euro, nga të cilat dy të tretat, ose 6,5 milionë euro, janë të destinuara për mediat dhe reklamimin politik të paguar.

Kujtojmë se edhe SHGM paralajmëron se Ligji aktual Zgjedhor nuk përcakton kritere të qarta për të cilat mediat online lejohen të marrin fonde për reklama politike të paguara. Edhe pse mediat duhet të regjistrohen zyrtarisht në KSHZ me një listë çmimesh, nuk ka rregulla specifike mbi kushtet që portalet e internetit duhet të plotësojnë për këtë qëllim. Kjo krijon hapësirë për abuzim – disa nga “portalet” e regjistruara janë faqe interneti me pronar të panjohur ose pa një emra të veçantë, shpesh të krijuara rishtazi para zgjedhjeve me qëllimin e vetëm për të derdhur para shtetërore në fushatat partiake. Një fenomen i tillë prish skenën mediatike dhe përfaqëson korrupsion të mundshëm parti-media, në dëm të medias profesionale dhe interesit publik.

Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë ndajnë këtë pikëpamje. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2024, në raportin e tij, theksoi se “nuk ka rregulla specifike për portalet online”, dhe shumë portale u krijuan pak para zgjedhjeve pikërisht për të marrë para shtetërore. ODIHR-i rekomandoi që nëse ky model vazhdon të zbatohet, “duhet të vendosen urgjentisht kritere të qarta dhe objektive për pranueshmërinë e portaleve online për rifinancim shtetëror të reklamave politike të paguara”.

Përndryshe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.

LEXO: Trajçevski: Nuk e di mbi çfarë baze, portale të huaja morën para nga buxheti për reklama zgjedhore