Trajçevski: Nuk e di mbi çfarë baze, portale të huaja morën para nga buxheti për reklama zgjedhore
Reklamimi partiak me para shtetërore mbetet anomalia më e madhe e procesit zgjedhor, tha për BIRN Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), transmeton Portalb.mk.
Ai beson se modeli ndërton marrëdhënie klienteliste midis partive dhe medias. Analizat e ASHMAA-së kanë zbuluar gjithashtu se portalet e sapohapura, përfshirë ato nga jashtë vendit, kanë marrë para nga buxheti për zgjedhjet, duke përfituar nga mungesa e kontrollit dhe transparencës.
“Nuk mund të gjej një vend tjetër ku reklamat politike të paguara financohen në këtë mënyrë. Mendoj se është një burim serioz klientelizmi midis partive dhe medias, dhe pas zgjedhjeve midis qeverisë dhe medias, sepse shpërndarja e fondeve nuk bëhet sipas rejtingut apo shikueshmërisë, por bazuar në disa marrëdhënie personale apo parime të çuditshme”, thotë Trajçevski.
Partitë tërheqin para nga buxheti për reklama, të cilat, varësisht nëse kemi zgjedhje të vetme apo të dyfishta, variojnë midis pesë dhe dhjetë milionë eurove.
Agjencia, të cilën e drejton Trajçevski, aktualisht po regjistron portale online, gjë që është pjesë e një përpjekjeje për rregullimin mediatik të gazetarisë online. Një proces që nuk është pa sfida askund në botë.
“Përvoja jonë nga zgjedhjet e mëparshme tregon se pas disa portaleve që marrin para për zgjedhjet, nuk qëndrojnë drejtpërdrejt parti politike, por individë në krye të partisë, të cilët realizojnë interesat e tyre personale. Për më tepër, analiza jonë tregoi se kemi një lloj tjetër portali, të cilët vijnë nga vende të huaja. Nuk e dimë mbi çfarë baze ka pasur portale nga Kosova, nga Shqipëria, nga Serbia, nga Danimarka, të cilat në zgjedhjet e kaluara janë regjistruar këtu, për të marrë para”, tha Trajçevski.
Për regjistrim, disa media duhet të bëjnë disa rregullime administrative që kërkojnë kohë, siç është ndryshimi i fjalëkalimit të tyre, dhe për të hyrë në regjistër, ato duhet të kenë një domen MK dhe të paktën dy punonjës.
Regjistrimi është vullnetar dhe deri më tani interesi është i ulët.
Trajçevski përcjell supozimin e përgjithshëm të ASHMAA-së se interesi është i ulët sepse ndoshta disa nga portalet kanë frikë se me regjistrimin do të duhet të zbulojnë burimet e tyre të financimit.
Duke pasur parasysh se paralajmërimet e vitit të kaluar nga ASHMAA në lidhje me reklamat zgjedhore të sponsorizuara nga shteti nuk janë marrë në konsideratë, Trajçevski është pesimist se edhe pas këtyre zgjedhjeve, do të kemi një pamje më të qartë dhe më transparente se si u shpenzuan paratë shtetërore për reklamat e partive.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se nga një total prej 333 mediash që paraqitën aplikime për reklama politike të paguara për zgjedhjet lokale të planifikuara për 19 tetor 2025, aplikuan plot 257 portale interneti.
Për krahasim, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar panë një interes rekord, me 251 portale që aplikuan për RPP në vitin 2024. Ky numër ishte dukshëm më i lartë se zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur morën pjesë 176 portale, si dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 me 235 portale. Është e qartë se trendi i mediave online që aplikojnë për fushata reklamuese të paguara nga shteti po rritet me çdo cikël.
Kujtojmë se edhe SHGM paralajmëron se Ligji aktual Zgjedhor nuk përcakton kritere të qarta për të cilat mediat online lejohen të marrin fonde për reklama politike të paguara. Edhe pse mediat duhet të regjistrohen zyrtarisht në KSHZ me një listë çmimesh, nuk ka rregulla specifike mbi kushtet që portalet e internetit duhet të plotësojnë për këtë qëllim. Kjo krijon hapësirë për abuzim – disa nga “portalet” e regjistruara janë faqe interneti me pronar të panjohur ose pa një emra të veçantë, shpesh të krijuara rishtazi para zgjedhjeve me qëllimin e vetëm për të derdhur para shtetërore në fushatat partiake. Një fenomen i tillë prish skenën mediatike dhe përfaqëson korrupsion të mundshëm parti-media, në dëm të medias profesionale dhe interesit publik.
Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë ndajnë këtë pikëpamje. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2024, në raportin e tij, theksoi se “nuk ka rregulla specifike për portalet online”, dhe shumë portale u krijuan pak para zgjedhjeve pikërisht për të marrë para shtetërore. ODIHR-i rekomandoi që nëse ky model vazhdon të zbatohet, “duhet të vendosen urgjentisht kritere të qarta dhe objektive për pranueshmërinë e portaleve online për rifinancim shtetëror të reklamave politike të paguara”.
Përndryshe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.