Derisa mendoja për reformat në shoqëritë tona, m’u kujtua shkrimtari i veçantë Arif Demolli (1949 – 2017), emri i të cilit pothuajse është harruar, kurse përmendën emra të tjerë, librat e të cilëve nuk do t’i mbijetojnë tiranisë së harresës.
Pasi u burgos nga regjimi monist, për shkak të bindjeve politike, Demollit iu ndalua botimi i librave. Ai vazhdoi të shkruante libra edhe pse e dinte që nuk do të botoheshin. Se për të letërsia ishte frymëmarrje dhe mënyrë jetese. Shumicën e librave i botoi vetëm pas vitit 1990.
“Mjeshtri i satirës”, siç është quajtur, botoi rreth tridhjetë vepra letrare për fëmijë dhe të rritur. Shkroi romane, përmbledhje me tregime e poezi, pjesë teatrore, tekste këngësh dhe recensione.
Në një tregim antologjik të tij flitet për perandorin që ka vendosur t’i shpërblejë të dënuarit me vdekje. Në emër të reformave, ai porosit një karrige elektrike për ekzekutimin e të dënuarve. Kishte vetëm një problem: në gjithë perandorinë nuk kishte rrymë elektrike…
Kësi reformash tentohet të bëhen edhe sot. Mua më shkuan vitet më të mira të jetës duke dëgjuar përralla me reforma.
Ky sistem është bërë si një veturë e shkatërruar që s’mund të riparohet, prandaj duhet të krijohet sistem i ri. Por sistemi i ri s’mund të krijohet nga dishepujt e atyre që e krijuan sistemin e vjetër frymëzënës dhe veprojnë si perandori i tregimit të Demollit.