Treni i Bllacës do të shndërrohet në muze, gjeneratat e reja do ta shohin nga afër ‘holokaustin’ e asaj kohe

Treni i Bllacës, që simbolizon refugjatët e Luftës së Kosovës që qëndruan në Maqedoninë e Veriut do të shndërrohet në muze. Kjo do të mundësohet pasi më 3 Mars u nënshkrua marrëveshja e cila është vazhdimësi e bashkëpunimeve të vazhdueshme me Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi për Portalb.mk tha se Treni i Bllacës, që simbolizon refugjatët e Luftës së Kosovës që qëndruan në Maqedoninë e Veriut, do të shndërrohet në muze.

“Trenin që është aty, ne duam që ta rifunksionalizojmë, në kuptimin e instalacionit, ku do të rregullohet pjesa e brendshme e trenit. Do të reflektoj origjinalitetin e atij, treni që ka shërbyer në atë kohë si tren transporti për refugjatët në Maqedoni. Ne duam që këtë tren ta shndërrojmë në muze, për gjeneratat që do të vinë këtu dhe do ta shohin pamjen e atij treni, të ju rikujtojmë të gjithë atyre që nuk e kanë përjetuar dhe ta shohin holokaustin që ka ndodhë në atë vend”, tha Ballazhi.

Ballazhi gjithashtu theksoi se ky tren, do të ketë pjesë të ndryshme që do ta tregojnë historinë e atij ‘holokausti’.

“Origjnaliteti nuk do të humbet, ulëset do të riparohen, do të ketë fotografi të ndryshme, instalacion të kukullave që do të paraqesin fëmijët, gra dhe pjesëmarrës tjetër të refugjateve aty. Gjithashtu do të ketë ekrane të ndryshme që do të paraqesin anën origjinale të inçizimeve që kanë qenë gjatë asaj kohe”, tha Ballazhi.

Komuna e Hanit të Elezit dhe Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale po bashkëpunojnë për hartimin e projektit të interierit, duke e kthyer këtë tren në një hapësirë përkujtimore që rrëfen një pjesë të rëndësishme të historisë.

Me 10 prill do të përkujtohet “Eksodi Bllaca 99” ku siç tha kryetari Ballazhi do të organizohet aktivitete kujtimi lidhur me këtë datë të rëndësishme.

Këtë vit, do të shënohet 26-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoni. Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

Kujtojmë se rreth 440 mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës.