Rasti “Palço” nuk mund të jetë vepër e UDBA-së, sepse UDBA nuk ekziston

UDBA nuk ka ekzistuar që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe pavarësia e vendit tonë. Nuk mban ujë edhe pretendimi se vrasja e dyfishtë e vajzës Vanja dhe burrit Zhezhovski ka ndodhur për shkak të frikës para zgjedhjeve. Rrëmbimi i Vanjës u bë mëngjesin e 27 nëntorit dhe menjëherë pas kësaj, ajo u vra në të njëjtën ditë. Nëse qëllimi i vrasjeve do të ishte përhapja e frikës në popullatë para zgjedhjeve, rasti do të kishte mbetur i pazbardhur. Por çështja është zbardhur dhe të gjithë të dyshuarit janë në paraburgim, ndërsa i dyshuari kryesor Palço ndodhet në paraburgim ekstradues në Turqi, ku u gjet pak ditë pas vrasjes, shkruan Vërtetmatësi.

Në një postim viral në rrjetin social Facebook thuhet se vrasja e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, e cila tronditi shoqërinë maqedonase, ishte vepër e UDBA-së (Drejtoria e Sigurimit Shtetëror në Jugosllavinë e dikurshme ) për të mbjellë frikë para zgjedhjeve. Këto janë manipulime dhe gënjeshtra.

Rasti “Palço” është vepër e UDB-ës (Drejtoria e Sigurimit Shtetëror në Jugosllavinë e dikurshme ) për të mbjellë frikë para zgjedhjeve që do të pasojnë në maj 2024 🤔🙄, thuhet në postim.

Hetimi për vrasjen e dyfishtë është ende në vazhdim dhe për këtë arsye shumë detaje nuk dihen për publikun, por në rrjetet sociale po shpërndahen vazhdimisht teori të ndryshme spekulative për motivet e vrasjeve.

Kështu është edhe me këtë postim, ku pretendohet se rrëmbimi dhe vrasja e Vanjës, si dhe vrasja e burrit nga Velesipër të cilin dyshohet Ljupço Palevski – Palço, është vepër e UDBA-së për të mbjellë frikë para zgjedhjeve. Kjo nuk është e vërtetë

E para, UDBA nuk ekziston. Nuk ka ekzistuar që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe pavarësia e vendit tonë.

Drejtoria e Sigurimit Shtetëror (UDBA) ishte një shërbim inteligjent dhe polici sekret jugosllav, ieformuar në vitin 1946 me riorganizimin e shërbimit të atëhershëm të sigurisë – Departamenti për Mbrojtjen e Popujve (shkurtuar OZNA) në një departament civil dhe ushtarak. Nga Reparti i Parë dhe i Dytë i OZNA-s, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RFJ-së, u formua Administrata për Sigurimin Shtetëror, ndërsa nga Departamenti i Tretë i OZNA-s, Shërbimi i Kundërzbulimit të Ushtrisë së Jugosllavisë. Në vitin 1967, shërbimi u federalizua, domethënë secila republikë mori shërbimin e vet të sigurisë (SDB), ndërsa Shërbimi Federal i Sigurisë Shtetërore mbeti në nivel federal, kompetencat e të cilit zvogëloheshin gjithnjë e më shumë. Gjatë asaj periudhe, kjo strukturë kishte udhëheqjen e saj në nivel federal, por secili shtet kishte shërbimin e vet të sigurisë.

Pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, SDB-ja vazhdon t’i kryej detyrat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë. Në vitin 1995, me riorganizimin e organeve të administratës, SDB-ja u emërua Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), dhe me ndryshimin e Ligjit për Organizimin dhe Punën e Administratës Shtetërore, në vitin 2000, DSK-ja u ristrukturua në Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) duke mbajtur gjërat që kanë të bëjnë me sistemin e sigurisë shtetërore. Nga viti 2019, DSK-ja është larguar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe në kuadër të reformave të sistemit të sigurisë-zbulimit në vend është themeluar Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK), e cila vepron në vend të saj.

Zgjedhjet nga ana tjetër nuk ishin caktuar fare kur ndodhën këto vrasje të tmerrshme, ndonëse dihej se ato do të mbaheshin në pranverë. Më 4 dhjetor, partitë politike parlamentare arritën marrëveshje që zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm të mbahen më 8 maj, gjegjësisht raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare do të mbahet më 8 maj.

Kjo do të thotë se zgjedhjet do të mbahen pak më shumë se gjashtë muaj pas dy vrasjeve. Nëse do të donin të arrinin një lloj frike para zgjedhjeve, këto vepra kriminale nuk do të kishin ndodhur shumë kohë para vetë zgjedhjeve, por menjëherë para tyre.

Në fund të fundit, nuk ka asnjë logjikë në pretendimin se qëllimi i vrasjeve ishte përhapja e frikës në popullatë para zgjedhjeve. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, çështja do të kishte mbetur e pazgjidhur dhe do të ishte përhapur frika se vrasësi ishte mes nesh. Për të përhapur frikë para zgjedhjeve nuk do të kishte pasur vetëm një rast të tillë, por do të kishte të tjerë për frikësim të mëtejshëm. Por çështja është zbardhur dhe të gjithë të dyshuarit janë në paraburgim, ndërsa i dyshuari kryesor Palço ndodhet në paraburgim ekstradues në Turqi ku u gjet pak ditë pas vrasjes. Kjo e bën plotësisht të palogjikshëm pretendimin për motivin e vrasjes.

Plus, është mjaft e paqartë se kush duhet të frikësohet para zgjedhjeve? Kush duhet të ketë frikë? Rasti e shqetësoi aq shumë opinionin maqedonas, saqë në ato pak ditë deri në zbulimin e autorëve, të gjithë qytetarët, nga të gjitha partitë politike, pa dallim etnie dhe religjioni, ndjenin pasiguri.

Ndryshe, sipas informacioneve fillestare të komunikuara nga MPB më 4 dhjetor, të cilat mund të ndryshojnë gjatë hetimit, motivi është interesi vetjak, pra zhvatja e parave, por plani ka dështuar dhe kërkesa për zhvatje nuk u realizua.

Edhe pse motivi i vrasjeve është ende i paqartë dhe ende nuk është vërtetuar nga hetimet dhe konfirmimi nga gjykata, ajo që dihet është e kaluara kriminale e Palços. Ai ka pas vetes një histori të veprave penale dhe kallëzimeve penale në dekadat e fundit, ndaj nuk është aspak çudi që ai është organizator dhe pjesë e një skeme të tillë kriminale.

Vërtetmatësi tashmë në një analizë të gjerë ka shkruar se kush dhe si e ka ngritur “përbindëshin e lagjes sonë”, të dyshuarin kryesor për vrasjen e dyfishtë, liderin e Partisë së Djathtë, Ljupço Palevski – Palço. Ndaj Palevskit që nga viti 2000 janë ngritur një sërë akuzash penale dhe kundërvajtëse, por deri më tani nuk i ka munguar asnjë “qime”. Ministria e Punëve të Brendshme më 4 dhjetor informoi se kundër Palevskit në të kaluarën janë ngritur së paku pesë kallëzime penale dhe disa kundërvajtje.

Për të gjitha faktet e deklaruara, këtë postim e vlerësojmë si të pavërtetë.