Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski do të kalojë në arrest shtëpiak

Babai i Vanja Gjorçevskës, Aleksandar Gjorçevski do të kalojë në arrest shtëpiak, ka vendosur Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas seancës së mbajtur sot, Këshilli për vepra penale ka marrë vendim me të cilin panohet ankesa e tij përmes avokatit Vladimir Tufegxhiq, ndërsa paraburgimi i zëvendësohet me arrest shtëpiak dhe masë parandaluese, transmeton Portalb.mk.

Kujtojmë se në seancën paraprake të Gjykatës Supreme lidhur me ankesën për vazhdimin e masës së paraburgimit për Aleksandar Gjorçevskin, babai i 14-vjeçares Vanja, tha se për të nuk ka rëndësi se ku do ta gjejë zgjidhja e rastit.

“Për momentin jam në dy botë. Një fëmijë është këtu, tjetrin ma kanë marrë. Nuk më intereson se ku do ta pres këtë aktvendim. Kur të merret vendimi, unë do të marr një vendim personal nëse do t’i bashkohem vajzës së madhe,” tha ai.

Ankesa në Gjykatën Supreme erdhi pasi Apeli i Shkupit paraprakisht e refuzoi si të pabazuar kërkesën për heqjen e paraburgimit të babait të Vanjës dhe konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale, e cila ia zgjati paraburgimin edhe për 30 ditë.

Prokurorja Natalija Tasevska është kundër lirimit të babait të Vanjës nga paraburgimi.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.