Filtrin për prokuror publik e kaloi vetëm Lupço Kocevski, kandidaturat e Fetait dhe Rapeviqit u hodhën poshtë

Nga tre kandidatë, vetëm Ljupço Kocevski e ka kaluar filtrin në Këshillin e Prokurorëve Publikë në luftën se kush do ta pasojë Ljubomir Joveskin si prokuror publik. Kocevski ka marrë mendim pozitiv unanim dhe të gjithë anëtarët e këshillit kanë pasur vetëm fjalë lavdëruese për të gjatë diskutimit, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për një kandidat që ka integritet, që posedon etikë në kryerjen e funksionit. Gjatë punës krijon marrëdhënie të mira ndërpersonale. Është personalisht i angazhuar me zhvillimin profesional, ndërsa edhe anëtarët e Këshillit njëzëri konsiderojnë se ka edhe aftësi organizative”, tha Dushica Dimitrievska, kryetare e Këshillit të Prokurorëve Publik.

Për dallim nga Kocevski, të gjithë kanë dhënë mendim negativ për prokuroren Lidija Raiçeviq. Prokurorët që morën pjesë në diskutim e vlerësuan atë për strategjinë e paraqitur se si do ta kryente funksionin, por konsideruan se Raiçeviq nuk do të mund të merrej mbi të gjitha me organizimin e institucionit.

“Për Lidija Raiçeviq, Këshilli i prokurorëve publik ka dhënë mendim negativ”, theksoi shkurt Dimitrievska.

Një nga prokurorët e qortoi Raiçeviqin se rasti i fundit për të cilin ajo punoi përfundoi me një lirim. Një tjetër theksoi se ky nuk është rasti i vetëm. Prokurorja Fatime Fetai dështoi që në fillim për shkak të dokumentacionit jo të plotë.

Qeveria do të duhet të miratojë kandidatin e përzgjedhur nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe më pas propozimi do të shkojë për votim në Kuvend.

Kujtojmë se me 25 dhjetor i përfundoi mandati prokurorit të deritanishëm Lubomir Joveski. Emërimi i kryeprokurorit publik shtetëror në Maqedoninë e Veriut mund të zvarritet deri pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 8 majit, sipas ekspertëve juridikë. Sonja Simovska u caktua me 22 dhjetor ushtruese e detyrës së kryeprokurorit publik të shtetit.