Rasti Muamed Sejdini: Si përfundoi tribuna e stadiumit të Ohrit në “offside”
Ndërsa ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, është në paraburgim 30-ditor, hetimi përqendrohet në kontratën për ndërtimin e tribunës perëndimore në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër me vlerë 3.3 milionë euro dhe pagesën paraprake prej rreth 660 mijë eurosh të bërë pa garanci bankare. Komuna e Ohrit thotë se nuk ka qenë e përfshirë në procedurat financiare, ndërsa menaxhmenti i ri i FFM-së zbulon indikacione për “skema” të ngjashme në një projekt për ndërtimin e një tribune në stadiumin në Kërçovë, raporton 360Shkallë, përcjell Portalb.mk.
Shtatë ditët e para nga gjithsej 30 ditë paraburgimi që iu urdhëruan ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini, po përfundojnë.
“Nuk mund ta dinim saktësisht se çfarë po ndodhte dhe nëse po ndodhte në procedura në të cilat ne nuk kemi marrë pjesë drejtpërdrejt si komunë”, thotë Kiril Pecakov, kryetar i Komunës së Ohrit, i cili tregoi se nuk ishin në dijeni se çka po ndodhte me projekt. Pecakov sqaroi që stadiumi në plan duhet të ketë mbi 8 mijë ulëse, ashtu që stadiumi në fund do të marrë licencën A.
Ndërsa prokuroria po heton sfondin e ndërtimit të një tribune në stadiumin e Ohrit, për të cilin Sejdini akuzohet për abuzim me detyrën e tij zyrtare, FFM thotë se ka pasur edhe përpjekje të tjera të tilla.
“Procedura pothuajse do të ishte pasqyruar në Kërçovë, nëse udhëheqja aktuale e FFM-së nuk do ta kishte ndaluar të ashtuquajturin projekt për ndërtimin e një tribune në stadiumin e Kërçovës”, thotë Zlatko Andonovski, zëdhënës i FFM-së.
Sejdini u arrestua më 23.04.2026, ndërsa në tetor të vitit 2024 i është hequr dokumenti diplomatik i udhëtimit. Kryetari i FFM-së paraprakisht ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit.
Muhamet Sejdini e udhëhoqi FFM-në nga viti 2018, kur e trashëgoi nga Illço Gjorgjievski. Paraprakisht katër vite ishte njeriu i dytë i Federatës. Ai dha dorëheqje nga pozita e kryetarit në nëntor të vitit 2024. Pas tij kryetar u zgjodh Masar Omeragiç.
- LEXO: Prokuroria dha detaje: Ish-kryetari i FFM-së nën hetim për 660 mijë euro, Gjykata i caktoi paraburgim për zhvatje të fondeve të UEFA-s
- LEXO: Është arrestuar ish-kryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini, dyshohet për përvetësim e rreth 700,000 eurove
- LEXO: FFM e sanksionoi ish-kryetarin e saj Muamed Sejdinin me ndalim dy-vjeçar të kryerjes së ndonjë funksioni
- LEXO: I është tërhequr pasaporta diplomatike kryetarit të FFM-së, Muammed Sejdinit