Aksion i ri i PNKOK dhe MPB-së, bastisje në disa lokacione të lidhura me një grup kriminal
Ekipet policore të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), që nga orët e mëngjesit po kryejnë bastijse në disa lokacione, në kuadër të një aksioni të ri të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
Nga Prokuroria Publike e Republikës konfirmuan se është duke u zhvilluar një aksion me qëllim sigurimin e provave lidhur me veprat penale të zhvatjes, pastrimit të parave dhe punës së pandërgjegjshme në shërbim.
Prokuroria deri më tani nuk ka dhënë detaje shtesë zyrtare. Nga atje thonë se për to do të informojnë pas përfundimit të plotë të aksionit.
“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit koordinon veprimet e zyrtarëve policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë MPB-së. Në bazë të urdhrave të siguruar nga prokuroria publike kompetente, po kryhen disa kontrolle me qëllim sigurimin e provave lidhur me veprat penale të zhvatjes, pastrimit të parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale, si dhe punës së pandërgjegjshme në shërbim. Pas përfundimit të plotë të aksionit, do ta informojmë publikun në mënyrë përkatëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Më herët, disa media raportuan se që nga mëngjesi është vërejtur prani e shtuar e policisë në Kumanovë, ku dyshohet se është përqendruar aksioni i MPB-së dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Sipas informacioneve jozyrtare, aktivitetet janë drejtuar kundër një grupi të organizuar kriminal nga nëntoka e Kumanovës, i cili për një periudhë të gjatë dyshohet se është marrë me zhvatje, fajde, pastrim parash, kërcënime dhe shantazhe.
Në kuadër të aksionit, sipas informacioneve të para jozyrtare, bastisje dyshohet se po kryhen jo vetëm në objektet që lidhen me anëtarët e grupit kriminal, por edhe në një zyrë noteriale dhe në këmbimore, për shkak të dyshimeve për lidhje të mundshme me grupin.
Sipas informacioneve të disa mediave, gjatë bastisjeve deri më tani janë gjetur dhe sekuestruar para, automjete dhe dokumente.