Rasti i keqpërdorimit në onkologji, Gjykata vendosi masë të kujdesit për dy ish-drejtorët

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka njoftuar se ka filluar procedurat hetimore ndaj dy ish-drejtorëve në Klinikën për radiologji dhe onkologji dhe tre mjekëve tjerë, duke propozuar masën e sigurisë për dy ish-drejtorët. Ky propozim u pranua nga Gjykata, transmeton Portalb.mk.

“U miratua Urdhri për realizimin e procedurës hetimore ndaj 5 personave, dy prej të cilëve janë punonjës zyrtar – ish-drejtori mjekësor në Klinikën për radiologji dhe onkologji në Shkup dhe ish-drejtori organizativ në Klinikë, si dhe tre mjekë – onkolog”, raportoi Prokuroria

Ish-drejtorët akuzohen për Mashtrim në punë, në bazë të nenit 355, paragrafit 4, në lidhje me nenit 3 dhe 1 nga Kodi Penal, ndërsa mjekët në asistim gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.

Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Themelore Penale ka vendosur masën e kujdesit ndaj ish-drejtorit mjekësor, Nino Vasev, dhe ish-drejtorit organizativ, Nehat Nuhiu. Ata nuk duhet të largohen nga vendbanimit, duhet të dorëzojnë pasaportat.

Rasti “Onkologjia” u zbulua pasi e përjavshmja “Fokus” vitin e kaluar publikoi një sërë artikujsh për ekzistencën e një rrjeti të përpunuar biznesi kriminal për rishitjen e barnave të shtrenjta – citostatikëve. Në rrjet dyshohet se janë përfshirë disa mjekë dhe personel mjekësor të Klinikës. Për rastin “Onkologjia” vitin e kaluar pati disa protesta që nisën masivisht, me daljen e një numri të madh të qytetarëve, por me çdo protestë të radhës numri i tyre sa vinte e zvogëlohej.

Në fund të shtatorit, Kuvendi themeloi Komisionin Hetimor që duhej të përcaktonte përgjegjësinë politike për skandalin. Kryetarja e Komisionit Hetimor, Rashela Mizrahi, përgjegjësinë politike e vendos te ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ish-drejtorët e Onkologjisë, Nikolla Vasev dhe Nehat Nuhi, ish-drejtoresha e IShSSh-së, Irina Sotirova-Buhova, si dhe ish-drejtorët e Fondit për Shëndetësi, Stevo Krstevski dhe Faton Ahmeti.

Prokuroria Publike në shtator të vitit të kaluar ka ngritur padi për përvetësim ndaj infermieres nga Klinika e Onkologjisë e cila ka vjedhur citostatikë.