U arrestuan katër persona për keqpërdorimet në Klinikën e Onkologjisë, mes tyre edhe ish-drejtori Nino Vasev

Pas heshtjes gjithëditore, nga Prokuroria Themelore konfirmuan që për aferën e keqpërdorimeve në Klinikën për Onkologji, me urdhër të Prokurorisë u krye bastisje në tre lokacione, ndërsa janë arrestuar katër persona. Nga Prokuroria raportuan që aksionit për ngjarjen në Klinikën për Onkologji është në rrjedhë, ndërsa më vonë do të raportojnë për më shumë detaje, raportoi Portalb.mk.

Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë dhe Radioterapisë, si dhe tre punonjës, njëra prej të cilave infermiere, janë arrestuar sot në lidhje me skandalin e Onkologjisë, që i referohet keqpërdorimeve të punonjësve të klinikës me imunoterapinë e shtrenjtë me citostatikë për pacientët me kancer.

Këtë e ka konfirmuar sot për media, drejtori organizativ i klinikës, Halid Matoshi, pasi Prokuroria ka njoftuar shkurt se me urdhër të prokurorit publik po ndërmerren veprime për këtë rast dhe sipas informacioneve në media se janë bërë bastisje në disa lokacione.

 

“Nga këtu janë marrë tre. Ish-drejtori dhe dy të punësuar. Sekretarja sot nuk është paraqitur në punë, mbase e kanë marrë nga diku, telefoni e ka të fikur”, tha Matoshi.

Drejtoresha e Onkologjisë, Violeta Klisarova, tha se përkundër kësaj, Klinika sot po funksionon normalisht dhe të gjitha terapitë e planifikuara janë në vazhdim.

“Të gjithë pacientët e planifikuar, ekzaminimet e vazhdueshme, terapitë e planifikuara të pacientëve, si dhe pranimi i pacientëve të rinj po funksionojnë normalisht. Të gjitha ambulancat janë në punë. Ne punojmë me kapacitet të plotë në Klinikë, prandaj ju lus të mos bëni panik. Asnjë nga pacientët nuk do të kthehet. Të gjithë do të marrin terapinë e përshkruar dhe të planifikuar”, tha Klisarova.

Edhe Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Klinika Universitare për Onkologji dhe Radioterapi po funksionon normalisht, aktualisht janë duke u bërë ekzaminime të rregullta, pacientëve u jepen terapi dhe trajtime të vazhdueshme.

“Lidhur me hetimet në vazhdim dhe informacionet nga mëngjesi i sotëm, Ju lutemi të kontaktoni institucionet kompetente”, thonë nga MSh.

Rasti “Onkologjia” u zbulua pasi e përjavshmja “Fokus” vitin e kaluar publikoi një sërë artikujsh për ekzistencën e një rrjeti të përpunuar biznesi kriminal për rishitjen e barnave të shtrenjta – citostatikëve. Në rrjet dyshohet se janë përfshirë disa mjekë dhe personel mjekësor të Klinikës.

Më pas, Prokuroria Publike konfirmoi se në Klinikë ka pasur një aksion dhe në të janë mbledhur prova në kuadër të procedurës para hetimore dhe janë bërë kontrolle në dy banesa private, gjatë të cilave janë konfiskuar kompjuterët dhe dokumentacioni i konfiskuar.

Për rastin “Onkologjia” vitin e kaluar pati disa protesta që nisën masivisht, me daljen e një numri të madh të qytetarëve, por me çdo protestë të radhës numri i tyre sa vinte e zvogëlohej.

Në fund të shtatorit, Kuvendi themeloi Komisionin Hetimor që duhej të përcaktonte përgjegjësinë politike për skandalin me Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi. Para Komisionit Hetimor janë deklaruar ish-ministra të shëndetësisë, drejtorë aktualë dhe ish-drejtorë të Klinikës së Onkologjisë, drejtorë të Fondit të Shëndetësisë, si dhe drejtorë të institucioneve të tjera.

Kryetarja e Komisionit Hetimor, Rashela Mizrahi, përgjegjësinë politike e vendos te ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ish-drejtorët e Onkologjisë, Nikolla Vasev dhe Nehat Nuhi, ish-drejtoresha e IShSSh-së, Irina Sotirova-Buhova, si dhe ish-drejtorët e Fondit për Shëndetësi, Stevo Krstevski dhe Faton Ahmeti.

Prokuroria Publike në shtator të vitit të kaluar ka ngritur padi për përvetësim ndaj infermieres nga Klinika e Onkologjisë e cila ka vjedhur citostatikë.