Raporti i OBSH: Sëmundjet kronike të frymëmarrjes, mbi 80 milionë të prekur në Evropë

Çdo vit 6.8 milionë persona diagnostikohen me sëmundje kronike të frymëmarrjes, të tilla si astma apo bronkiti kronik e të tjera, raporton Euronews.

Një raport i fundit i realizuar nga OBSH dhe Shoqata Evropiane e Sëmundjeve të Frymëmarrjes ka dhënë alarmin se sëmundjet pulmonare obstruktive kronike dhe astma janë të nënvlerësuara, të nendiagnostikuara dhe të keqmenaxhuara në Rajonin Evropian.

Ekspertët bëjnë me dije se sëmundjet kronike të frymëmarrjes prekin rreth 81.7 milionë persona në rajon ndërsa shumë të tjerë nuk janë të diagnostikuar.

Ato përbëjnë shkakun e gjashtë kryesor të vdekjeve dhe lidhen ngushtë me sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin.

Faktorët kryesorë të rrezikut mbeten duhanpirja dhe ndotja e ajrit, që prek mbi 90% të popullsisë së rajonit.

Raporti paralajmëron se rastet do të rriten me 23% deri në vitin 2050, veçanërisht te gratë dhe në vendet me të ardhura më të ulëta.

Ndërkohë që aktualisht kostoja vjetore për shkak të humbjes së produktivitetit arrin në mbi 20 miliardë dollarë.