Papunësia e të rinjve pa përmirësim: KE kritikon RMV-në, kërkon masa urgjente

Papunësia e të rinjve në Maqedoninë e Veriut mbetet sfidë e vazhdueshme pa përmirësime të dukshme, këtë mes tjerash e thekson edhe këtë vit Komisioni Evropian në raportin e progresit nga ku kërkon forcimin e kapaciteteve të Agjencisë së Punësimit dhe miratimin urgjent të Planit të Veprimit për Punësim 2025-2027, shkruan Portalb.mk

KE-ja thekson se masa kryesore që adreson papunësinë e të rinjve mbetet Skema e Garancisë për Rininë, dhe zbatimi i saj vazhdoi në të gjithë vendin.

“Pas miratimit të planit të zbatimit të garancisë rinore për vitet 2023-2026. Skema e Garancisë për Rininë përfshin gjithsej 21.641 të rinj të papunë, nga të cilët 11 032 janë gra. Prej këtyre 7.116 të rinj u punësuan, ndërsa 1.564 morën pjesë në masa aktive të punësimit për të rritur punësimin. Masat e punësimit krijuan vende pune, me 251 persona që përfituan nga subvencione pagë dhe 281 nga krijimi i vendeve të reja të punës”, thuhet në raport. 

Komisioni thekson se në politikën e punësimit, kapaciteti i Agjencisë së Shërbimeve të Punësimit duhet të forcohet për të përmirësuar zbatimin e masave aktive në tregun e punës dhe Skemën e Garancisë për Rininë.

“Strategjia e re për Planin e Veprimit për Punësim për periudhën 2025-2027 duhet të miratohet”, thuhet në raport. 

Komisioni porositi që RMV-ja të vazhdojë të zbatojë strategji të aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë.

Lidhur me politikën rinore, KE-ja thotë se nuk ka raporte të disponueshme mbi Strategjinë Kombëtare të Rinisë për vitet 2023-2027 dhe planin e veprimit për vitet 2023-2025.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian dha vlerësim të ulët për papunësinë e të rinjve në RMV, duke theksuar se ajo mbetet krizë dhe se masat e parashikuara për të rinjtë janë zbatuar vetëm pjesërisht. 

Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.