Raporti i inteligjencës amerikane: Rrezik për rritjen e dhunës ndëretnike lokale në Ballkanin Perëndimor në vitin 2024

Ballkani Perëndimor me gjasë do të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024. Kështu thuhet ndër të tjera në raportin e agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) lidhur me vlerësimin vjetor të kërcënimeve në nivel global, transmeton Portalb.mk.

Në raportin e titulluar “Vlerësimi vjetor i kërcënimeve të inteligjencës amerikane 2024”, në pjesën që përmend Ballkanin, ndër të tjera thuhet:

“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për shkak të avantazhit të tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të parandaluar integrimin më të madh të Ballkanit në BE ose institucionet euro-atlantike.”

Në këtë kontekst përmenden trazirat midis nacionalistëve serbë dhe autoriteteve të Kosovës, që çuan në raste vdekjesh dhe lëndime, duke përfshirë edhe paqeruajtësit e NATO-s të plagosur në vitin 2023.

Në këtë pjesë të raportit përmendet edhe lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili thuhet se po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në BeH dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republika Srpska. Veprime të tilla nga ai, shtoi në raport, mund të inkurajojnë udhëheqësit e popullatës boshnjake (myslimanë boshnjakë) që të forcojnë kapacitetin e tyre për të mbrojtur interesat e tyre dhe ndoshta të çojnë në konflikte të dhunshme.

Vlerësimi i situatës në Ballkan përmendet në raportin e komunitetit të inteligjencës amerikane si një nga rastet që thotë se do të ketë potencial për ndikim më të madh në sigurinë globale dhe potencial për veprim nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj.

“Trazirat ndërshtetërore, qoftë të bazuara në trazirat e brendshme, pakënaqësinë ekonomike ose sfidat e qeverisjes, mund të nxisin cikle dhune dhe konflikte të brendshme. Sfidat shpesh ndërthuren me rënien e performancës socio-ekonomike, korrupsionin endemik, zhvendosjen e popullsisë, përhapjen e ideologjive ekstremiste nga grupet terroriste dhe kryengritëse”, thuhet ndër të tjera në raportin “Vlerësimi vjetor i kërcënimeve të inteligjencës amerikane 2024”.

Kujtojmë se edhe media gjermane “Handelsblatt” shprehu shqetësimin, se Kosova ndodhet në kufi të një krize të re të madhe. “Nëse do të arrihet çtensionimi i dëshiruar është e pasigurtë. Qeveria e Kosovës bëri përgjegjëse presidentin serb Aleksandar Vuçiq për zhvillimet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi në twitter të hënën në mbrëmje se ‘në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste’– Vuçiq nga ana e tij ia vuri fajin Kosovës dhe pretendoi, se policia e atjeshme ka qëlluar ndaj anëtarëve të pakicës serbe, para se të shkallëzohen protestat- Vuçiq pretendon, se Kurti dëshiron përgjakje.”

Kurse në një koment të Erich Rathfelder për “tageszeitung” me titullin “Perëndimi që harron historinë” nënvizohet se “në konfliktin aktual në Kosovë dhe po ashtu në Bosnje përjetojmë, se sa sipërfaqësor është bërë debati në lidhje me Ballkanin, se sa pak kritika marrin ata diplomatë dhe politikanë që lëvizin vidat në Ballkan, pa mësuar nga historia. Që është e gabuar strategjia e frenimit të sistemeve autokratike dhe nacionaliste me politikë zbutëse, ata nuk e kuptojnë.” Rathfelder vëren se ende jemi larg paqes së stabilizuar në rajon, megjithëse kanë kaluar 24 vjet nga lufta në Kosovë dhe shton se kjo ndoshta lidhet me atë, se mësimet nga lufta e Kosovës nuk janë të ankoruara më aq thellë tek politikanët e sotëm dhe brezi i gazetarëve, dhe merren vendime politike që nuk dalin nga mësimet e së shkuarës e kështu lindin konflikte të reja, thekson “tagezeitung”.