Senati i ShBA-së propozoi rezolutë për mbështetjen e hyrjes së Maqedonisë së Veriut në BE

Shtetet e Bashkuara mbështetën pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) në rezolutën më të re në Senat, të sponsorizuar nga senatori demokrat i Vermontit Peter Welch, senatori demokrat i New Hampshire Jeanne Shaheen dhe senatorët republikanë të Nebraska dhe Karolina e Veriut Pete Ricketts dhe Tom Tillis, transmeton Portalb.mk

Në rezolutë, siç raporton Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, Senati i bëri thirrje Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatëve evropianë, që të avokojnë për hapjen e klasterit të parë negociues të BE-së me Maqedoninë e Veriut, pa kushte shtesë dypalëshe.

Pjesë nga rezoluta. Burimi: VOA
Pjesë nga rezoluta. Burimi: VOA

“Presidenti dhe Sekretari i Shtetit duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, për të mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta thekson gjithashtu mbështetjen e Senatit për qeverinë së Maqedonisë për të ndërmarrë reformat e nevojshme për avancimin e anëtarësimit në BE.

Senati “inkurajon Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që të vazhdojë punën e saj të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe përpjekjet për të vazhduar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropën Lindore”.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe u bë kandidat zyrtar për BE në vitin 2005, si dhe vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që filloi një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara në qershor 2022, si pjesë e Deklaratës për partneritet dhe bashkëpunim strategjik që nga viti 2008.

“Maqedonia e Veriut mbetet një partner i rëndësishëm sigurie i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara dhe një aleat i NATO-s, duke i ofruar Ukrainës ndihma humanitare dhe pajisje të rëndësishme ushtarake, duke votuar në favor të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Asamblesë së Përgjithshme kundër agresionit rus, duke miratuar të gjitha sanksionet kundër Rusisë nga Bashkimi Evropian”, thuhet në rezolutë.

Tetorin e kaluar, senatorët Welch dhe Shahin vizituan Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, duke theksuar mbështetjen e SHBA për integrimin evropian në Ballkanin Perëndimor dhe sigurinë në rajon, në mes të agresionit rus kundër Ukrainës.

“Aderimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të forcojë stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimor, do të promovojë kohezionin evropian dhe do të refuzojë më tej ndikimin malinj të Rusisë në rajon dhe më gjerë. Përparimi i mëtejshëm i Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit shënon një moment historik të rëndësishëm për një vend që tashmë ka bërë hapa të rëndësishëm gjatë rrugës. Maqedonia e Veriut vazhdon të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe partneritetit transatlantik. Jam i bindur se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të sjellë mundësi të shtuara për biznes dhe tregti, si dhe koordinim shtesë ndërmjet Gardës Kombëtare të Vermontit dhe Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut”, tha senatori Welch.

Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian.

Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.

Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.

Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.