IQAir: Maqedonia e Veriut është vendi i dytë më i ndotur në Evropë

Vetëm shtatë shtete përmbushin standardin ndërkombëtar për cilësinë e ajrit, ndërkaq ndotja vdekjeprurëse e ajrit përkeqësohet në disa vende për shkak të rikthimit të aktivitetit ekonomik dhe ndikimit toksik të tymit nga zjarret,  thuhet në raportin e ri nga IQAir, faqja e interneti që  tregon matjet e cilësisë së ajrit në botë. Maqedonia e Veriut, pas Bosnjës dhe Hercegovinës, është vendi më i ndotur në Evropë, sipas përqendrimit të grimcave PM2.5 në ajër. Menjëherë pas nesh janë Mali i Zi, Serbia, Turqia, Greqia dhe Shqipëria, transmeton Portalb.mk.  
The Guardian raporton se nga 134 vende dhe rajone të përfshira në raport, vetëm shtatë, përfshirë Australinë, Estoninë, Finlandën, Grenadën, Islandën, Mauritaninë dhe Zelandën e Re, i përmbushin kufijtë e caktuara të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për grimcat e emetuara nga makinat, kamionët dhe nga proceset industriale.

Shumica dërrmuese e vendeve nuk e përmbushin këtë standard për grimcat PM2.5, të cilat janë më të vogla se gjerësia e një floku të njeriut dhe mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore dhe madje edhe vdekje kur thithen.

Printscreen, Raporti Vjetor i IQAir
Printscreen, Raporti Vjetor i IQAir

Vendi më i ndotur, Pakistani, ka nivele PM2.5 14 herë më të larta se standardi i OBSH-së, sipas raportit të IQAir, ndërsa India, Taxhikistani dhe Burkina Faso janë gjithashtu ndër vendet më të ndotura.

Maqedonia e Veriut është në vendin e 32-të në botë sipas përqendrimit të grimcave PM2.5.

Ndotësit më të rrezikshëm nuk janë ata që shihen me sy, si pluhuri dhe tymi, po grimcat e ashtuquajtura PM (particulate matter), të cilat janë aq të vogla sa mund të depërtojnë në trup. Grimcat PM 10 shkaktojnë irritim të syve, fytit dhe hundëve, kurse niveli i lartë i tyre është i rrezikshëm për personat e ndjeshëm, pasi që përkeqëson frymëmarrjen te personat me astmë dhe rrit rrezikun e sulmit në zemër për personat që kanë probleme me shtypjen ose diabetin. Grimcat PM 2.5 janë më të rrezikshme, pasi që mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe në gjak dhe rrjedhimisht niveli i lartë i tyre dëmton mushkëritë dhe zemrën.

Ndotja e ajrit vret rreth 7 milionë njerëz në vit në mbarë botën, më shumë se SIDA dhe malaria së bashku, dhe efekti ndihet më shumë në vendet në zhvillim, ku nuk kanë matje të besueshme të cilësisë së ajrit, thuhet në raport.

Ka vite të tëra që Portalb.mk, alarmon për situatën me ajrin e ndotur Shkup, Tetovë, Strugë dhe gjithë shtetin dhe se masat e marra nga autoritetet nuk japin rezultatet e duhura.