Rade Trajkovski Shtekli u dënua me tetë vjet burg

Rade Trajkovski Shtekli u dënua sot me tetë vjet burg për trafikim droge. Trupi gjykues në Gjykatën Penale të Shkupit e shpalli Trajkovskin fajtor për organizimin e një grupi për trafikim narkotikësh – kokainë dhe marihuanë, trasmeton Portalb.mk.

Përveç tij, të pandehurit e tjerë morën dënime me burg: Stefan Kitanov dhe Aleksandar Buçevski u dënuan me nga pesë vjet burg secili, Stojan Milanov mori dënim prej tre vjetësh e dhjetë muajsh, ndërsa Filip Tanevski u dënua me pesë vjet burg.

Trajkovski u arrestua më 18 janar të vitit të kaluar dhe një ditë më pas iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila më pas iu vazhdua pas ngritjes së aktakuzës. 

Hetimet për grupin e “Shtekli” filluan me 15 të dyshuar dhe më vonë u zgjeruan në gjithsej 17 persona. Nga këta, vetëm 10 u përfshinë në aktakuzën fillestare, pasi shtatë të dyshuar pranuan fajësinë dhe u dënuan me burgim nga tre deri në tre vjet e gjashtë muaj, varësisht nga shkalla e përfshirjes së tyre në veprat penale. 

Kujtojmë se, gjatë dy viteve të fundit para arrestimit, Rade Trajkovski u ka mbijetuar disa tentativa për atentat ndaj tij. Ai ishte qëlluar në një qendër tregtare, ndërsa një mjet shpërthyes ishte hedhur në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen “Qeramidnica” të Shkupit.