VETMIA NË METROPOL. Në një metropol që tërheq miliona turistë ëndërrimtarë, njeriu mund të ndjehet i vogël dhe i përulur mes turmës së pafund.
Në këtë gjallëri të përhershme, ndodh ta rishikojmë vendin tonë si individë dhe si pjesë e kolektivit brenda një konteksti më të gjerë kulturor.
Gustav Floberi thoshte se udhëtimi na bën të përulur, sepse e kuptojmë se ç’vend të vogël zëmë në botën e madhe.
Mes njerëzve, që vijnë nga kultura e tradita të ndryshme, edhe vetmia mund të jetë e madhe dhe e thellë, siç tha Virginia Vulfi për Londrën.
SHIKIM NGA LARTËSIA. E parë nga lartësia dhe gjatë natës, Londra shfaqet si strukturë ndriçuese, magjepsëse e madhështore, e ndërtuar nga shekujt. Çdo shekull la gjurmë të përjetshme në formën e monumenteve, pallateve mbretërore, katedraleve, rrugëve e shesheve të gjalla, urave që lidhin brigje, teatrove e universiteteve që ushqejnë mendjen dhe shpirtin e njerëzve. Më vonë, qyteti u pasurua me orën e famshme, me kabinat e kuqe të telefonit, autobusët dykatësh dhe taksitë e famshme.
QYTETI SI ENCIKLOPEDI DHE LABIRINT. Londra është si një enciklopedi e pafundme. Historia e saj nuk përshkruhet vetëm në libra. Ajo është gdhendur kudo, aq sa nuk ka udhërrëfyes, sado i zoti qoftë, që mund të përshkruajë të gjitha veçantitë e qytetit me bukuri të dukshme dhe të fshehura; me një përmasë reale, të prekshme dhe me përmasën prej ëndrre, të fshehur, që përjetohet e nuk rrëfehet, edhe nëse ke dhunti prej shkrimtari.
Këtë qytet s’mund ta njohësh tërësisht, edhe nëse jeton aty me vite, sepse në çdo ditë mund të zbulosh diçka të re. Qyteti shfaq diçka mbresëlënëse për adhuruesit e teatrit, letërsisë, politikës, sportit, argëtimit apo të hedonizmit. “Në Londër ka gjithçka që jeta mund të ofrojë”, tha Samuel Xhonsoni.
Londra është si labirint ku, duke ecur, zbulon jo vetëm qytetin, por edhe vetveten. Nga ky udhëtim arrin ta kuptosh më mirë edhe vendin tënd. Teksa në vendin tënd dallimet kulturore shihen si burim tensioni, këtu shfaqen si bukuri e pasuri.
RRUGËT. Ndryshe nga banorët e qyteteve të vogla, që krenohen me veçantitë e qytetit të tyre, londinezët mburren me rrugët. Një lagje mund të ketë më shumë banorë sesa shumë shtete të vogla. Çdo rrugë e Londrës ka një histori. Në secilën prej tyre ecën gjeni të ndryshëm.
SHKRIMTARËT PËR LONDRËN. Në Londër, që ka frymëzuar shumë shkrimtarë klasikë e modernë, lindi Xhefri Çoseri, “babai i poezisë angleze”. Pa të, siç thuhet, as Shekspiri s’do të ishte Shekspir.
Në Londër s’mund mos ta kujtosh Shekspirin, përshkruesin gjenial të ankthit njerëzor. Ai ka ecur në ndonjë rrugë të Londrës me kokën nëpër re dhe dorën mbi zemër, duke ndjerë botën si skenë dhe njerëzit si aktorë.
Një nga poezitë më të njohura kushtuar Londrës u shkrua nga skocezi Uilliam Danbari. Në himnin e tij të vitit 1501 e quajti Londrën qytet i qyteteve, qyteti më i hijshëm, më i lavdishëm, qytet i lordëve, i kontëve, i kalorësve, i zonjave të këndshme e të epshme. Pas gjithë këtyre epiteteve, e quajti edhe si lulja e të gjitha qyteteve.
Në këtë qytet lindi Aleksandër Popi, një tjetër kolos i letërsisë angleze, autori i thënies së famshme: “Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore”.
Për këtë qytet shkroi edhe Uilliam Blejku, që e përshkroi si vend i korrupsionit institucional e shoqëror.
Uilliam Uordsuorthi, në poezinë e tij “Ura e Uestminsterit” (1802), e pa Londrën në ag si mrekulli të qetësisë dhe bukurisë. Aty spikat vargu i famshëm: “Toka nuk kishte asgjë më të bukur për të treguar” se sa pamjen që shfaqej pranë urës, ku njeriu ndien një qetësi të thellë.
Benjamin Disraeli, i cili në letrat e tij përmend Shqipërinë, e quajti Londrën Babiloni moderne, duke nënvizuar kompleksitetin dhe madhështinë e saj.
Në këtë qytet u shua T. S. Elioti, i cili gjithashtu shkroi për Londrën, por vizionet e tij shpesh ishin të zymta.
Nuk e kemi harruar Xhorxh Gordon Bajronin. Ai lindi në Londër dhe humbi jetën tragjikisht në Mesollonjë. Ky fisnik qejfli, që nuk gjeti paqe shpirtërore në metropol, u rehatua në viset e Ballkanit, pranë një populli që nuk e kishte njohur më parë. Ai u mahnit nga veshjet shqiptare dhe lartësoi krenarinë e një kombi që i kishte dhënë historisë një emër si Skënderbeu. Asdreni i kushtoi një poezi Bajronit, ku përshkroi mjeshëtrisht çastet e fundit të jetës së romantikut anglez.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.