“Qyteti i Gjelbër Human“: Zgjidhja për deponitë nuk është partneriteti publiko-privat, por “zero mbeturina”
Nisma qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” (QGjH) e kritikoi deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski ku tha se partia e tij do të kërkojë një kompani për partneritet publiko-privat për ta menaxhuar deponinë “Drislla”. Sipas tyre ky veprim është dëshmi se Qeveria i konsideron qytetarët të lobotomizuar, duke e injoruar dështimin e një partneriteti të tillë të mëparshëm, për të cilin thonë se pati si rezultat “një dekadë të humbur dhe zero realizim të investimeve të premtuara”, transmeton Portalb.mk.
“Partia e tij tashmë e ka zbatuar ‘zgjidhjen’ me një partneritet publik-privat për ‘Drisllën’. Dhe çfarë na solli kjo? Mbeturina në duart e kriminelëve të cilët, sipas informacioneve të disponueshme publikisht, kanë bërë importim të parregulluara të kontejnerëve me mbeturina”, thuhet në njoftim.
Reagimi i “Qyteti i Gjelbër Human” vjen pas deklaratës së djeshme të Kryeministrit, i cili tha se gjatë çdo përpjekjeje për ta zgjidhur problemin me deponitë dhe për të ndërtuar qendra rajonale për grumbullimin dhe përpunimin e mbeturinave shfaqen organizata joqeveritare dhe politikanë dhe reagojnë pse një kapacitet i tillë duhet të ndërtohet pikërisht në rrethinën e tyre.
“Të gjithë themi se nuk duam mbeturina, por krijojmë mbeturina. Ato mbeturina duhet të hidhen diku. Atje ku duhet të hidhen kemi OJQ që komentojnë se pse duhet të hidhen tek ne. Kemi politikanë që mendojnë se do të fitojnë pikë politike, kështu që të sulmojnë se pse duhet të hidhen pikërisht tek ne. Kemi një grup të tretë njerëzish që thonë se gjithçka që bën Qeveria nuk ia vlen, ndërsa kjo në thelb është diçka e trashëguar nga e kaluara“, tha Mickoski.
Në vend të mbështetjes në partneritete publike-private, nga Qyteti i Gjelbër Human thonë se koncepti i “zero mbeturinave” është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për përballje me deponitë dhe ndotjen.
“Ju deklaroheni si patriotë, nuk ka vepër më patriotike për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të banorëve të Maqedonisë sesa mbrojtja e mjedisit jetësor. Çdo vit mbytemi në gjithnjë e më shumë mbeturina dhe thithim ajër gjithnjë e më të ndotur, nga i cili vdesin mijëra njerëz në vit. Në pushtet janë njerëz për të cilët jeta jonë nuk ka asnjë vlerë”, thonë nga “Qyteti i Gjelbër Human” në një reagim të postuar në faqen e tyre në Facebook.
Ata shtojnë edhe se nuk janë organizatat joqeveritare ata që reagojnë, por janë qytetarët.
“Ne nuk jemi organizata joqeveritare që protestojmë, ne jemi banorë të këtij qyteti dhe nuk do t’ju lejojmë që t’ju paguajmë për të na helmuar dhe për të na vrarë. Për vite me radhë ne ofrojmë zgjidhje për trajtimin e mbeturinave në Maqedoni që, përveç se do të garantojnë mbrojtje të shëndetit dhe jetës tonë, do të garantojnë edhe mbrojtjen e mjedisit jetësor“, thonë nga kjo nismë qytetare.
Sipas “Qyteti i Gjelbër Human” me zgjidhjen që ata e ofrojnë do të eliminohet rrënja e problemit. Ata thonë se është një zgjidhje me të cilën deponimi i mbeturinave nuk do të jetë më praktikë në Maqedoni që të ketë nevojë të shpenzohen përsëri para publike për t’i siguruar fizikisht deponitë ose për t’i shuar zjarret.
Nga atje thonë se një nga zgjidhjet është biokompostimi.
“Në Shkup 60 deri në 80 përqind e sasisë së përgjithshme të mbeturinave komunale janë biombeturina. Duke siguruar kompostues të shpërndarë në çdo lagje këto mbeturina do të transformohen në pleh organik ose biogaz, me çka do të eliminohen 60-80 përqind të mbeturinave që përfundojnë në deponi dhe do të zvogëlohen shpenzimet për transport“, thonë nga atje.
Zgjidhjet e tjera që i ofrojnë përfshijnë ndërtimin e kapaciteteve për përpunimin e mbeturinave ndërtimore, selektimin primar efektiv të mbeturinave, punëtoritë për riparim dhe ripërdorim dhe eksportimin e mbeturinave të mbetura.
Sipas “Qyteti i Gjelbër Human” partneritetet publike-private janë një formë e “ekstraktivizmit kapitalist”, ku të mirat publike shndërrohen në një pazar për fitime. Ata thonë se kompanitë private nuk kanë interes t’i zvogëlojnë sasitë e mbeturinave, sepse kjo gjë i zvogëlon fitimet e tyre.
“Kompania private investon minimalisht, por nxjerr fitime maksimale përmes mbështetjes nga buxheti dhe subvencioneve. Kjo është një mënyrë indirekte e privatizimit të ndërmarrjeve publike“, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se kohëve të fundit, QMK ka raportuar disa zjarre në disa deponi, si ajo në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë.
Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.