QMK: Nëntë zjarre janë ende aktive, katër janë nën kontroll dhe 49 janë shuar
Qendra për Menaxhim me Kriza në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar opinionin se deri në ora 7 e mëngjesit të sotëm, janë ende aktive zjarret në afërsi të Bllacës në rajonin e Shkupit Çuçer-Sandevë, në deponinë në fshatin Vizbegovë në komunën Shuto Orizarë, pastaj zjarri në afërsi të fshatit Beshishte, rajoni i Prilepit dhe katër zjarre në territorin e komunës së Makedonski Brodit. Zjarret janë aktive edhe në komunën Çashka afër Sollunska Gllava dhe në komunën e Dojranit në afërsi të fshatit Nikoliq, transmeton Portalb.mk.
Zjarri midis fshatrave Gradec dhe Llozakovë në komunën e Kriva Palankës, ku dje ishte kritik, është vënë nën kontroll, sipas QMK-së.
63 zjarre janë paraqitur në territorin e vendit në 24 orët e fundit, nga të cilat nëntë janë ende aktive, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) këtë mëngjes në profilin e saj zyrtar në Facebook.
Siç informojnë nga QMK 4 zjarre janë nën kontroll, edhe atë: Dellçevë – Deponia qytetare “Ostrec”; Vinicë – fsh. Dragobrashtë (vegjetacion i ulët dhe pyll me pemë të ulëta); Kriva Pallankë – fsh. Gradecë dhe fsh. Lozakovë (pyll me pisha, dushk dhe bagrem); Zhelinë – fsh. Larcë – lokacion tjetër (pyll i përzier). Ndërkaq, 49 zjarre janë shuar, edhe atë: Rajoni i Shkupit: Gazi Babë (rruga për Smiilkovsko), Shuto Orizarë, Kumanovë (11 lokacione), Çuçer Sandevë; Rajoni i Pelagonisë: Prilep (7), Manastir, Mogillë, Krushevë (2); Rajoni i Vardarit: Veles (5), Kavadar, Rosoman; Rajoni Lindor: Koçan, Vinicë, Dellçevë, Probishtip (3), Çeshinovë-Obleshevë; Rajoni Verilindor: Rankovcë, Kratovë, Nagoriçan i Vjetër (2); Rajoni Juglindor: Radovish, Novo Sellë, Dojran; Rajoni i Pologut: Zhelinë (2), Tearcë, Gostivar, Jegunovcë; Rajoni i Povaradrit: Sveti Nikollë (3).
Për shkak të seriozitetit të situatës, Shtabi i Krizave në Qeveri u mblodh dje pasdite, pas së cilës Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, mbajti një konferencë për media. Ai deklaroi se shkaku i zjarreve ishin kushtet e pafavorshme të motit dhe erërat e forta, dhe për disa nga zjarret, siç shtoi ai, dyshohet se janë shkaktuar nga faktori njerëzor dhe po hetohen disa akuza.
Ministri informoi gjithashtu se mekanizmi evropian i ndihmës për përballimin e zjarreve është aktivizuar dje dhe se Greqia tashmë ka dërguar ndihmë që kanë vepruar në zjarrin pranë fshatit Nikoliç në Dojran.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Krizave, nënshkroi vendim për pjesëmarrjen e një pjese të Ushtrisë në shuarjen e zjarreve, informoi dje Kabineti i saj.
Qeveria ka miratuar një vendim ku shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh.