“Struga Fest”, buzë liqenit do të bashkojë kultura nga e gjithë bota

Të mërkurën (16 korrik) me fillim nga ora 20:00, në Strugë, do të mbahet edicioni i pestë i Festivalit “Struga Fest”, shkruan Portalb.mk.

Ky festival nuk është vetëm një ngjarje muzikore, por një përpjekje e përkushtuar për të ruajtur dhe promovuar vlerat kulturore, artistike dhe shpirtin e bashkimit përmes artit.

Fitore Istrefi Alushi organizatore e festivalit për Portalb.mk tha se në skenën e “Struga Fest 2025”, do të ngjiten emra të mëdhenj të muzikës shqiptare.

“Edicioni i pestë i “Struga Fest”, do të jetë një festë e vërtetë artistike dhe emocionale. Këtë vit sjellim një kombinim të artistëve të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke përfshirë emra të mëdhenj të muzikës si Inva Mula dhe Genc Tukiqi, por edhe grupe të rinj, kori “Okarina”, nga Prishtina. Atmosfera do jetë magjike dhe për të gjithë grupmoshat, me skena të bukura buzë Drinit, dritë, tinguj dhe një ndjesi komuniteti që vetëm Struga di ta japë”, tha Istrefi Alushi.

Ajo edhe më tej shtoi se ky edicion jubilar do të jetë i mbushur me risi të shumta.

“Po, këtë vit kemi disa risi. E para është përfshirja e më shumë zërave të rinj, për të dhënë hapësirë brezit të ri artistik. Së dyti, festivali do të ketë një segment të veçantë kushtuar fëmijëve dhe familjeve, si dhe aktivitete paralele që ndërlidh aajkën e artit shqipëtar si Inva Mula dhe Genc Tukiqi! Po ashtu kemi zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e figurave kulturore nga diaspora”, tha Istrefi Alushi.

Istrefi Alushi shtoi se përmes këtij festivali, po ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe po e vendosin qytetin në hartën e eventeve kulturore të rëndësishme në rajon.

““Struga Fest”, tashmë është kthyer në një emblemë të qytetit. Ai nuk është vetëm një ngjarje muzikore, por një dritare e hapur për të promovuar bukuritë, kulturën dhe trashëgiminë artistike të Strugës dhe të gjithë vendit. Përmes këtij festivali, po ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe po e vendosim qytetin në hartën e eventeve kulturore të rëndësishme në rajon”, tha Istrefi Alushi.

Sigurimi i mbështetjes së duhur për të përballuar të gjitha kostot është gjithmonë sfidues, sidomos kur dëshiron të ruash cilësinë, potencoi Istrefi Alushi.

“Sfidat janë të shumta, nga ato financiare e deri tek aspektet logjistike dhe organizative. Sigurimi i mbështetjes së duhur për të përballuar të gjitha kostot është gjithmonë sfidues, sidomos kur dëshiron të ruash cilësinë. Një tjetër sfidë është bashkërendimi me institucionet për të garantuar sigurinë, infrastrukturën dhe përkrahjen institucionale që na nevojitet”, tha Istrefi Alushi.

Festivali i këtij viti pritet të jetë një nga më të suksesshmit.