Miliarda euro të BE-së që do të jepen për Ballkanin dhe Ukrainën, mësoni çfarë i dallon këto instrumente të ndihmës

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Pak kohë më parë lajmi kryesor nga BE-ja ishte pëlqimi i liderëve europianë për miratimin e Instrumentit të ri për Ukrainën që peshon gjithsej 50 miliardë euro për periudhën 2024-2027. I  propozuar në qershor të vitit të kaluar, pas vetos hungareze në dhjetor, tani më në fund pritet të miratohet zyrtarisht me miratimin e Rregullores përkatëse. BE-ja u mburr me unanimitetin e saj në qëndrim, pas angazhimit të të gjitha forcave për ta bindur Orbanin që t’i jepte fund bllokadës, për momentin pa ndonjë kundërkompensim të dukshëm.

Nga pesëdhjetë miliardë eurot 17 miliardë janë grante dhe pjesa tjetër janë kredi afatgjata. Instrumenti përbëhet nga tre shtylla:

  • E para është e dedikuar për reforma dhe investime për zbatimin e Planit për Ukrainën, si dhe për ruajtjen e stabilitetit makro-financiar të vendit.
  • E dyta është një Kornizë investimi e veçantë për Ukrainën.
  • E treta është ndihmesë teknike për reformat lidhur me anëtarësimin në BE.

Krahasimi i instrumenteve për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor pa dyshim që tregon se po shkohet drejt një unifikimi të instrumenteve për ndihmë. Përveç shumës së fondeve (50 miliardë kundrejt 6 miliardë eurove për Ballkanin Perëndimor), një ndryshim i madh janë edhe qëllimet e Instrumentit. Për Ballkanin Perëndimor është kryesisht konvergjenca ekonomike dhe reformat, ndërsa për Ukrainën qëllimi primar është rindërtimi. Në instrumentin për Ukrainën sikur janë kombinuar ndihmat e mëparshme (dhe të lashta) CARDS, ndihma për rindërtimin për Ballkanin Perëndimor dhe IPA – ndihma e para-anëtarësimit. Dhe sigurisht, një ndryshim i madh është se Instrumenti për Ukrainën është i veçantë për një vend, ndërsa për Ballkanin Perëndimor është për të gjitha vendet e rajonit. Në të ardhmen do të shihet se si kjo do të ndikojë në efikasitetin e përdorimit të fondeve.

Kanalet për përdorimin e ndihmës janë të ngjashme: një pjesë i drejtohet shtetit, bazuar në Planin (për Ukrainën), gjegjësisht Agjendën e Reformës (të secilit prej vendeve për Ballkanin Perëndimor), pjesa e dytë drejt Kornizës së Investimeve, në të cilën rol të madh luajnë institucionet financiare evropiane. Për dallim nga agjendat e reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor, Plani për Ukrainën ka një shtrirje më të gjerë që korrespondon me qëllimet, të cilat përfshijnë gjithashtu rindërtimin dhe rikonstruimin.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto nga Anadolu Agency
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto nga Anadolu Agency

 

Edhe pse theksohet se në këtë Instrument të ri është bashkuar ndihma për Ukrainën, mbetet ndihma speciale përmes Instrumentit për Paqe që përdoret për armatim, ndihma për refugjatët është përmes instrumenteve të tjera dhe mbetet edhe një pjesë e vogël në Instrumentin e Fqinjësisë, nëpërmjet të të cilit Ukraina deri më tani shfrytëzoi ndihmat për reforma.

Sipas informacioneve të Këshillit të BE-së, ndihma për armatim deri më tani ka arritur në 5,6 miliardë euro nga Instrumenti për Paqe, ndërsa shtetet anëtare kanë dhënë 22,4 miliardë në baza bilaterale. 17 miliardë euro janë dhënë për të ndihmuar refugjatët nga Ukraina, 2.95 miliardë ndihma humanitare dhe 795 milionë euro të tjera për mbrojtje civile. 30.15 miliardë euro është ndihma financiare makroekonomike e dhënë nga BE-ja në vitin  2022 dhe vitin 2023 dhe 9.45 miliardë euro shtesë për këtë qëllim nga shtetet anëtare.

Parakushtet e përgjithshme për përdorimin e ndihmës janë identike në të dy instrumentet: respektimi i mekanizmave demokratikë, duke përfshirë këtu sistemin parlamentar shumëpartiak, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, dhe të drejtat e pakicave. Megjithatë, tek Instrumenti i Ballkanit Perëndimor në mënyrë eksplicite theksohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Shtesë në të dy instrumentet janë kushtet që lidhen me respektimin e interesave financiare të Unionit, mbrojtjen nga mashtrimi, korrupsioni dhe konflikti i interesave. Megjithatë, me Instrumentin për Ballkanin Perëndimor është më i theksuar kushtëzimi i ndarjes së mjeteve me reformat në fushën Themelet.

Ursula von der Leyen dhe Dimitar Kovaçevski. Foto: Portalb.mk
Ursula von der Leyen dhe Dimitar Kovaçevski. Foto: Portalb.mk

Sipas tekstit të fundit të kompromisit të Rregullativës për ndihmën për Ukrainën, roli i Këshillit të BE-së është rritur, kështu që Komisioni do të duhet ta informojë Këshillin për përmbushjen e kushteve përpara se t’i transferojë fondet në Ukrainë. Vendimi për pezullimin e mundshëm të ndihmës është transferuar nga Komisioni te Këshilli, natyrisht me propozimin e Komisionit. Nëse kjo do të përfshihet edhe në Instrumentin për Ballkanin Perëndimor, mbetet ta shohim në procedurën e ardhshme të miratimit.

Një nga dallimet midis dy instrumenteve është se fondet, me përjashtim, mund t'i jepen Ukrainës përpara se të miratohet Plani, gjë që aktualisht nuk është pjesë e Propozimit të Instrumentit për Ballkanin Perëndimor.

Më në fund edhe një detaj, i cili deri më tani ka kaluar pa u vënë re, në versionin e fundit të Draft Rregullativës për Instrumentin për Ukrainën, vendet nga Ballkani Perëndimor u janë shtuar atyre që kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e prokurimeve dhe granteve nga ky Instrument. Sa dhe nëse do të mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi është çështje tjetër.