Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi që dy klinikat të shkrihen në një qendër terciare

Klinika e Kardiologjisë dhe Klinika Shtetërore e Kardiologjisë do të shkrihen në një qendër të vetme terciare për mjekësinë kardiovaskulare. Përmes këtij ndryshimi, pritet që pacientët të marrin shërbime të plota brenda një institucioni, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi është sigurimi i një niveli më të lartë të integrimit, koordinimit dhe efikasitetit në trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, përmes shfrytëzimit racional të burimeve ekzistuese njerëzore, hapësinore dhe teknologjike të të dy institucioneve”, raportoi Ministria për Shëndetësi.

Ky ishte një propozim i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa vendimi është marrë nga Qeveria në seancën e 24 shkurtit. Ministria vlerësoi se përmes këtij ndryshimi do të ketë më pak pritje, pengesa e pagesa.

“Qendra mundëson vazhdimësi të procesit diagnostik dhe terapeutik – nga parandalimi dhe diagnostikimi, deri te trajtimi intervenues dhe kirurgjik. Përmes eliminimit të dyfishimeve administrative dhe optimizimit të strukturës organizative, krijojmë kushte për kursime financiare që do të riinvestohen në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe edukimin profesional të stafit”, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.