Qeveria e Kosovës filloi shpronësimin e tokave për rrugën Prizren – Tetovë

Ka filluar procesi për shpronësimin e pronave ku pritet të kalon rruga që do të lidh Prizrenin me Tetovën, kështu paralajmëroi Qeveria e Kosovës gjatë prezantimit të projekteve të ndryshme infrastrukturore, transmeton Portalb.mk.

“Sot Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e parcelave që prekin trasenë e projektit të madh të rrugës Prizren-Tetovë.  Më lejoni që t`ju njoftoj që qysh sot do të shpallim njoftimin për kontratë për ndërtimin e kësaj rruge”, njoftoi ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu.

Ai ka theksuar që deri më tani kanë arritur të zvogëlojnë borxhet e mëdha të trashëguara.

“Përkundër sfidave dhe telasheve të trashëguara, po angazhohemi maksimalisht që projektet të marrin drejtimin e duhur”, deklaroi Aliu.

Më 6 shtator të këtij viti, drejtori i NPRSH-së, Ejup Rustemi deklaroi se ministritë e të dyja vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm, ndërkaq Ministria e RMV-së, e ka dërguar në Kosovë versionin e parë për marrëveshje, për çka do të duhet të kthejnë vërejtje dhe më pas autoritetet e RMV-së t’i shqyrtojnë dhe nga fundi i shtatorit të ketë marrëveshje, e cila planifikon projektimin e tunelit të përbashkët prej 6,4 kilometra.

Pas asaj, siç tha Rustemi, do të vazhdohet me projektimin e rrugës (në RMV) që çon deri në hyrje të tunelit. “Së pari, kemi projektin, kemi revidimin e projektit dhe mbas asaj realizimin e punimeve”, tha Rustemi.

Rruga në fjalë do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, por partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka arritur që ta jetësojë këtë projekt me rëndësi të madhe për Kosovën dhe RMV-në.

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Më 16 gusht, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Alium, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, e ka vizituar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin, mes tjerash ka folur edhe për rrugën Tetovë-Prizren.

Vizita e ministrit Aliu erdhi vetëm disa ditë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurtit në Shkup dhe Tetovë, ku ai u takua vetëm me përfaqësuesit e opozitës shqiptare.

Gjatë vizitës në Tetovë, Kurti vizitoi fshatin Vicë ku foli për rrugën që duhet të çojë për në Prizren, por nëpërmjet këtij fshati nuk do të shtrihet traseja e zgjedhur nga Qeveria, pasi që rruga parashikon të nis nga Tetova, nëpërmjet Kodrës së Diellit, Shipkovicës dhe mbaron në Brodec.