Punonjësit në Ministrinë e Ekonomisë digjen, Qeveria e RMV-së krihet
Qeveria e Maqedonisë së Veriut tani e dy ditë hesht se kur do të zgjidhet problemi me klimën në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, ku si pasojë e defektit klima nuk punon me javë, ose në disa raste punon pjesërisht, shkruan Portalb.mk.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske të Portalb.mk se kur do të zgjidhet kjo çështje.
Në objektin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës tani e disa javë, si pasojë e defektit, nuk punon klimatizimi, si rrjedhojë punëtorët përballen me temperatura të larta në punë.
Disa nga punonjësit e këtij institucioni shprehën ankesa sepse në temperatura të tilla është e vështirë të punohet.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për Portalb.mk theksuan se shkaku i defektit është konsumimi i sistemit, i cili është pothuajse 30 vjet i vjetër.
Nga ky institucion thanë se klimatizimi në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës është i centralizuar dhe se për servisimin e tij përgjegjës është Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Por Qeveria hesht në pyetjet gazetareske për këtë problem.
Kujtojmë se periudhën e fundit vendi po përballet me temperatura shumë të larta, si rrjedhojë autoritetet vazhdimisht dalin me rekomandime.