Teatri i Gostivarit sjell premierën “Marrëdhëniet” të Bernard Shaw nën regji të Fatos Berishës

Nesër më (31 korrik), me fillim nga ora 20:00, në Teatrin e Gostivarit jepet premiera e komedisë “Marrëdhëniet”, sipas George Bernard Shaw, nën regji, adaptim dhe skenografi të Fatos Berishës, shkruan Portalb.mk.

Regjisori Fatos Berisha për Portalb.mk tha se në thelb, është një reflektim mbi mënyrën se si njerëzit e manipulojnë apo e menaxhojnë dashurinë, fuqinë dhe pritshmëritë.

“Në fakt janë 3 njëaktëshe nga George Bernard Shaë të cilat i bëra bashkë në një shfaqje. Zgjedhja e këtyre tri njëaktësheve nuk ka qenë rastësore. Të gjitha flasin për marrëdhëniet njerëzore në forma të ndryshme, marrëdhëniet në çift, marrëdhëniet mes burrit dhe gruas, e deri tek raporti me të vërtetën dhe konvencionet shoqërore. Në thelb, është një reflektim mbi mënyrën se si njerëzit e manipulojnë apo e menaxhojnë dashurinë, fuqinë dhe pritshmëritë. Titullin “Marrëdhëniet” i’a kam vënë unë pikërisht për ta theksuar këtë fije lidhëse mes 3 pjesëve”, tha Berisha.

Ai edhe më tej shtoi se temat e kësaj vepre janë ende aktuale për shoqërinë tonë sot.

“Po. Autori Shaw ka një ironi brilante në trajtimin e temave që nuk plaken kurrë, si hipokrizia, moralizimi, shtypja e grave apo kontradiktat brenda dashurisë dhe martesës. Pavarësisht se janë shkruar mbi një shekull më pare, këto tekste i flasin realitetit tonë të sotëm. Madje ndonjëherë duket sikur janë shkruar enkas për kohën në të cilën jetojmë”, tha Berisha.

Berisha tha se është munduar ta ruaj humorin e hollë dhe sarkazmën e Shaw-it, por gjithashtu për t’i dhënë shfaqjes një tempo-ritëm të gjallë.

“Qasja regjisoriale ka qenë tendencë për të sjellë këto tekste në një estetikë bashkëkohore. Duke vendosur shfaqjen në format kamertal kam tentuar që publikun ta bëj të ndjejë afërsinë emocionale dhe shoqërore me personazhet. Jam munduar ta ruajtur humorin e hollë dhe sarkazmën e Shaw-it, por gjithashtu për t’i dhënë shfaqjes një tempo-ritëm të gjallë. Regjia ime, jo vetëm në këtë shfaqje, bazohet në lojën e aktorëve dhe jam i kënaqur me bashkëpunimin dhe tërë procesin kreativ që kishim me aktorët e Teatrit të Gostivarit”, tha Berisha.

Ka një kontrast të theksuar mes asaj që shoqëria pret nga njerëzit dhe asaj që ata duan vërtet, tha Berisha.

“Këto njëaktëshe prekin edhe çështje që kanë të bëjnë me raportet në familje, sidomos me rolet gjinore. Ka një kontrast të theksuar mes asaj që shoqëria pret nga njerëzit dhe asaj që ata duan vërtet. Mua më ka interesuar të tregoj se si disa modele të vjetra vazhdojnë të na kushtëzojnë edhe sot, dhe si njerëzit përpiqen të çlirohen prej tyre. Ndonjëherë me zgjuarsi, ndonjëherë me humor”, tha Berisha.

Në shfaqje luajnë aktorët: Afrodita Xhaferi Krasniçi, Ajshe Useini, Arian Ejupi, Arta Zejneli, Bereda Reshit, Besnik Rushiti, Driton Lazami, Kujtime Ahmeti dhe Vullnet Ismani.

Hyrja kushton 200 den. Biletat mund ti rezervoni në numrin e telefonit +389 071 222 112