Sergej Lavrov kërkon të vijë në Shkup për Konferencën Ministrore të OSBE-së

Po kërkohet mënyrë për të sjellë në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, për të shmangur një krizë të thellë ekzistenciale të Organizatës, e cila për shkak të bllokadave ruse ka një buxhet të bllokuar nga viti 2021, pa zgjedhje të personave të rinj në poste drejtuese, por edhe pa vend-kryesues për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

“Kam marrë një letër para katër-pesë ditësh nga Ministri i Punëve të Jashtme në të cilën ai tregon interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup. Ka disa sfida në atë pjesë për faktin se hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e mbyllur për avionët shtetërorë rusë, por edhe për fqinjët tanë, kështu që këtu do të duhet të bëhen përpjekje, mundësisht që të sigurohet logjistikisht”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Pa përmendur emrin e Lavrovit, Osmani tha se në ditët në vijim do të vendoset nëse persona të caktuar konkret të udhëtojnë në konferencën në Maqedoni.

Sa i përket mundësisë që Rusia të pajtohet që vendimet kyçe për Organizatën t’i marrë në një nivel më të ulët se niveli ministror, ​​Osmani është i mendimit se duhet të braktiset parimi i shtetit para interesit kolektiv.

“Pres që edhe Federata Ruse të tregojë shenja kompromisi për të lehtësuar procesin e sigurimit të pranisë së plotë të delegacionit të tyre”, është qëndrimi i Osmanit.

Sipas Osmanit, ekziston mundësia teorike që në Shkup të fiken dritat e Organizatës nëse nuk zgjidhen çështjet kyçe për funksionimin e ardhshëm të OSBE-së, por qëndrimi i tij është se shtetet anëtare nuk do ta lejojnë këtë.
Nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor në Shkup do të mbërrijnë 76 delegacione nga 57 vende anëtare dhe 19 partnere të OSBE-së, me gjithsej 1000 mysafirë.