Gërkovska: Ligji për konfiskimin e pasurisë nuk është në përputhje me ligjet ekzistuese
Kriminelët janë këmbëngulës nga ikja e ligjit dhe sistemit, ndërsa korrupsioni ka efekte shkatërruese në jetën tonë, në jetën e qytetarëve tanë të cilët me të drejtë janë të zhgënjyer nga efektet e dobëta, tha zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, në debatin e sotëm për Ligji për konfiskim, i cili ende po shqyrtohet, transmeton Portalb.mk.
“Ne jemi një vend i vogël, me shumë sekrete publike, me shumë pak zgjidhje dhe kjo kontribuon në një ndjenjë akoma më të madhe të pafuqisë së qytetarit të thjeshtë. Vijmë në situata në të cilat ata që “ia kanë dalë”, që kanë shfrytëzuar ndikimin dhe pushtetin e tyre, ikin nga ligji”, tha Gërkovska.
Zëvendëskryeministrja konsideron se analizat kanë treguar se Ligji për konfiskim nuk përputhet me ligjet ekzistuese.
“Ky ligj mbron interesin publik të shtetit. E drejta në pronë është e kufizuar në përputhje me Kushtetutën. Ligji mundëson bashkëpunim ndërkombëtar të lehtësuar. Përfitimet e ligjit për të gjithë shoqërinë paraqesin një vlerë të shtuar. Ky ligj nuk përfaqëson dhe nuk duhet të përfaqësojë zëvendësim për konfiskimin në procedurë penale. Nuk është justifikim për prokurorët në procedurë penale që të shmangin procedimin penal dhe konfiskimin në procedurë penale, përkundrazi, kjo është një mënyrë shtesë. Ky mekanizëm kërkon reagim të shpejtë nga shteti, që pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme të mos përdoret më tutje”, theksoi Gërkovska.
Pavarësisht se e vlerësoi, ajo thotë se është e vetëdijshme se ka vend për përmirësim në këtë zgjidhje ligjore, e cila ende nuk është miratuar. Megjithatë, ajo beson se e njëjta gjë mund të përmirësohet edhe gjatë diskutimit në legjislativ, por edhe përmes debatit publik.
Kujtojmë se kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të vitit të kaluar. Në të thuhet se në vitin 2020, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.