PS mbledh Kongresin më 8 dhjetor

Të premten e 8 dhjetorit Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin, me fokus të riorganizimi i strukturave të saj dhe tek arritjet e qeverisë Rama në 10 vite, raporton EN. Riorganizimi i strukturave të partisë përpara garës elektorale të 2025-ës dhe arritjet e qeverisë në 10 vite, do të jenë dy shtyllat kryesore ku do të mbështetet kongresi i partisë socialiste të premten e 8 dhjetorit. 

Sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Blendi Klosi tregon disa prej detajeve të platformës që do të prezantojë si numri dy i partisë.

“Ka të bëj me forcimin e strukturës organizative, me forcimin e organizatës bazë të Partisë Socialiste, me anëtarësime të reja në parti, me një fushatë për të hapur forumet tona socialiste jo vetëm në qendër por në çdo bashki të vendit, për të krijuar një mbështetje sa më të madhe nga forumet tona mbështetëse që është forumi i gruas dhe forumi rinor”,-tha Blendi Klosi.

Reforma në drejtësi konsiderohet shpesh herë nga kryeministri Rama si suksesi i partisë që drejton. Për këtë çështje, Klosi thotë se do të ketë një vëmendje në kongres. 

“Në kongres do të ketë një vëmendje të veçantë kjo reformë, rezultatet e saj. Çfarë kemi dashur të arrijmë kur e kemi realizuar, a ja kemi dalë të realizojmë atë që kemi pasur në projeksion kur e kemi projektuar dhe votuar reformën në drejtësi. Natyrisht çfarë duhet të bëjmë më shumë në të gjithë aspektin e drejtësisë në këtë vend”,-tha Blendi Klosi

Socialistët kanë zgjedhur që kongresin ta mbajnë në ditën e rinisë. Por a kërkojnë ata që të përcjellin një mesazh të caktuar? 

“8 dhjetori është një ditë që i takon të gjithë shqiptarëve. Nuk besoj që 8 dhjetori i takon një force politike,”-tha Blendi Klosi.

Pallati i kongreseve do të jetë vendi ku do të mbahet ky aktivitet duke nisur nga ora 11. Fjalimi i kryeministrit Rama dhe mesazhet që do të përcjell do të zënë një pjesë të punimeve të kongresit, ku të pranishëm pritet të jenë edhe të ftuar nga internacionalja socialiste.