Prokuroria ngriti aktakuzë kundër personit që goditi për vdekje me veturë Frosina Kulakovën
Prokuroria Themelore Publike Shkup pas procedurës hetimore të zhvilluar në tërësi ka ngritur aktakuzë kundër personit, i cili akuzohet për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 të Kodit Penal. Brenda dy muajve nga ngjarja tragjike, prokurori publik kompetent ka mbledhur të gjitha provat dhe ekspertizat që tregojnë se i pandehuri ka kryer këtë vepër të rëndë kundër sigurisë në komunikacion, e cila parashikon dënim maksimal deri në 20 vjet burg, transmeton Portalb.mk.
Sipas provave, më datë 29 janar, 15 minuta para mesnate, i pandehuri pa patur fare leje drejtimi ka drejtuar mjetin e pasagjerëve tip “Peugeot 207” në pronësi të babait të tij.
“Ai nuk respektoi rregulloret dhe në këtë mënyrë me vetëdije vuri në rrezik jetën e njerëzve. Ai e drejtonte veturën nën ndikimin e alkoolit, pra me 0.80 ppm alkool në gjak, por edhe me shpejtësi 91 km/h, që është gati dyfishi i shpejtësisë së lejuar. Kur ka dalë para një vendkalimi të shënuar në kryqëzimin mes bulevardit “Aradhat Partizane” dhe rrugës “29-të Noemvri”, ka vazhduar të lëvizë në semaforin e kuq, i cili sinjalizonte ndalimin e kalimit dhe me pjesën e përparme të majtë të mjetit që drejtonte ka goditur trupin e këmbësores Frosina Kulakova që ka qenë duke ecur në vizëbardha dhe me semafor të gjelbër për këmbësor”, thonë nga Prokuroria.
Nga forca e goditjes, viktima ka goditur semaforin e vendosur në vendkalimin e këmbësorëve dhe ka pësuar lëndime të rënda nga të cilat ka ndërruar jetë në vend.
Në rastin konkret ka rrethana që justifikojnë frikën nga rreziku i arratisjes dhe frikën e bazuar se ai do të përsërisë krimin. Po ashtu, duke marrë parasysh moshën e të akuzuarit, objektin e mbrojtjes, peshën e veprës penale dhe faktet tjera, prokurori publik vlerësoi se ende ekzistojnë bazat ligjore për të cilat i është shqiptuar masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit, andaj kërkoi nga Gjykata vazhdimin e masës së paraburgimit.
Ndryshe, Frosina Kulakova ka ndërruar jetë më 29 janar pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësor nga 20-vjeçari . Prokuroria kishte sqaruar që paraprakisht është bërë kallëzim edhe për një aksident tjetër të ndodhur më 04.11.2022 nga po i njëjti person, pas së cilës një person ka mbetur i lënduar.
Para vendkalimit të këmbësorëve të rregulluar me semaforë që punonin në rregull në momentin e aksidentit, ai ka vazhduar lëvizjen me semafor të kuq të ndezur dhe ka goditur trupin e këmbësores-viktimës Frosina Kulakova me pjesën e përparme të majtë të veturës.