Siljanovska-Davkova: Si komandant suprem i forcave të armatosura, jam krenare për Armatën si aktorin tonë në NATO

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova foli sot me rastin e shënimit të 5-vjetorit të anëtarësimit në NATO, që u mbajt në kazermën “Ilinden” në Shkup. Ajo theksoi se pesëvjetorin e anëtarësimit në NATO po e shënojmë nën hijen e tragjedisë së madhe në Koçan, e cila na kujtoi në mënyrë të tmerrshme se siguria e qytetarëve është një nga detyrat themelore të shtetit, transmeton Portalb.mk.

Beteja e suksesshme për jetët e të plagosurve nga tragjedia e tmerrshme, sipas presidentes, nuk ishte e mundur pa humanizmin dhe solidaritetin mbresëlënës të shteteve, popujve dhe qytetarëve të rajonit, por edhe shumë më gjerë, si dhe me sistemin e aktivizuar të mbrojtjes civile evropiane, por edhe NATO-n, për të cilën jemi pafundësisht mirënjohës.

Ajo kujtoi se që në vitet e para të pavarësisë sonë, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO u njoh si synim kryesor strategjik, krahas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas presidentes, është fakt se për të arritur këtë qëllim strategjik janë bërë përpjekje të mëdha dhe janë bërë sakrifica të mëdha dhe kompromise të dhimbshme, të cilat nuk i janë kërkuar asnjë shteti tjetër kandidat.

Ajo theksoi se pjesën më të vështirë të rrugës drejt NATO-s e morën pjesëtarët ushtarakë dhe civilë të Ushtrisë, të cilët përmes reformave të mundimshme, stërvitjeve të vazhdueshme ushtarake dhe misioneve të rrezikshme paqeruajtëse fituan përvojë të paçmuar, por edhe respekt të madh e të merituar nga aleatët.

“Si komandant suprem i forcave të armatosura, jam krenare për Ushtrinë tonë, si një aktor i rëndësishëm dhe i dëshmuar në NATO”, tha presidentja.

Ajo tha se si shtet duhet të investojmë në mbrojtjen dhe sigurinë e Maqedonisë dhe se do të vazhdojmë të kontribuojmë për paqen përmes pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe Kombet e Bashkuara.

Ajo shprehu besimin se përkundër keqkuptimeve të caktuara, bashkëpunimi transatlantik, i bazuar në rregulla dhe parime ndërkombëtare, do të vazhdojë të jetë themeli dhe garancia e sigurisë dhe stabilitetit evropian dhe euroatlantik, dhe tregoi se do të vazhdojmë të ecim dhe të veprojmë në drejtim të përbashkët.

Maqedonia e Veriut mbushi plot 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.