Prokuroria i rrëzoi dy kallëzimet penale ndaj ish-drejtorit të Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut

Dy kallëzimet penale ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë për Polici Financiare, Arafat Muaremi, janë vlerësuar si të pabaza nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Duke vepruar ndaj dy kallëzimeve penale ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë për Polici Financiare dhe të punonuarve në Drejtorinë për Polici Financiare, prokurori publik në bazë të dëshmive verbale dhe materiale nga dy kallëzimet penale, konfirmoi që nuk ekziston dyshim i bazuar se i akuzuar i ka kryer veprat penale”, raportoi Prokuroria.

Rasti ka të bëjë me një raportim anonim deri te Policia Financiare, për çka akuzohej se nuk ka vepruar ndaj këtij raportimi anonim. Akuza e dytë që u konfirmua si e pabazë ishte në lidhje me marrjen e rryshfetit nga ish-drejtori Muaremi.

Ndryshe, në mars të këtij viti shkaktoi bujë zgjedhja e prokurorit për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazit nga Kërçova, i cili u akuzua në opinion për afërsi të tij me funksionarët e BDI-së, për çka u publikuan edhe disa fotografi. Për zgjedhjen e tij edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shkup deklaroi se është e habitur me procesin, ndërkaq Abazi mohoi çdo lidhje të tij me BDI-në. Zgjedhja e tij erdhi pas ngjarjeve mes prokurores Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Ruskovska u suspendua për shkak të bastisjes në Policinë Financiare, ndërkaq Muaremi dha  dorëheqje një ditë pas skadimit të mandatit 6-mujor të ushtruesit të detyrës së drejtorit.