Prokuroria dha urdhër për të hetuar tragjedinë që ndodhi në Shipkovicë
Tragjedia që ndodhi dje në një punishte në Shipkovicë të Tetovës, ku humbën jetën dy persona, do të hetohet nga Prokuroria Themelore Publike, transmeton Portalb.mk.
“Prokuroria publik nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka kryer hetim në vendin e ngjarjes në Shipkovicë, ku dje gjatë ndërtimit të murit mbajtës kanë humbur jetën dy punëtorë”, raportojnë nga Prokuroria Themelore Publike.
Raport do të ketë edhe nga Inspektorati Shtetëror i Tregut që ishte në vendin e ngjarjes, ndërkohë janë duke u marrë në pyetje disa persona në lidhje me çështjen.
“Është lëshuar urdhër për obduksion të trupave të të ndjerëve, ndërsa prokurori publik urdhëroi që të sigurohet gjithë dokumentacioni nga subjekti juridik që i ka angazhuar punëtorët, si dhe dokumentacionet nga komuna në lidhje me ndërtimin e murit”, deklarojnë nga Prokuroria.
Ndryshe, në fshatin Shipkovicë të Tetovës kanë humbur jetën dy persona gjatë periudhës që ishin duke punuar afër një muri i cili pas rrëzimit ka shkaktuar vdekjen e viktimave.
“Këtu është duke u ndërtuar muri mbrojtës i lumit që kalon mes fshatit Shipkovic, një pjesë e murit është shkepur dhe ka zënë dy punëtorët që kanë qenë të angazhuar në atë pjesë”, deklaroi zjarrfikësi Avni Ameti.
Ai sqaroi që në terren tashmë është edhe prokurori dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar edhe vdekjen e dy punëtorëve, njëri 50 vjeç dhe tjetri 63 vjeç.