Dy punëtorë kanë ndërruar jetë në Shipkovicë pas rrëzimit të një muri

Në fshatin Shipkovicë të Tetovës kanë humbur jetën dy persona gjatë periudhës që ishin duke punuar afër një muri i cili pas rrëzimit ka shkaktuar vdekjen e viktimave, transmeton Portalb.mk.

“Këtu është duke u ndërtuar muri mbrojtës i lumit që kalon mes fshatit Shipkovic, një pjesë e murit është shkepur dhe ka zënë dy punëtorët që kanë qenë të angazhuar në atë pjesë”, deklaroi zjarrfikësi Avni Ameti.

Ai sqaroi që në terren tashmë është edhe prokurori dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar edhe vdekjen e dy punëtorëve, njëri 50 vjeç dhe tjetri 63 vjeç.

“Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike në fshatin Shipkovicë, ku si pasojë e shembjes së murit humbën jetën dy punëtorë, të cilët punonin në riparimin e murit. Ngjarja e dhimbshme na ka prekur të gjithëve, na ka lënë pa fjalë. I shprehim ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta familjeve të punëtorëve. Në këto çaste të rënda pikëllimi ne jemi pranë dhimbjes së tyre. Çdo humbje e jetës njerëzore na pikëllon të gjithëve. E ndjejmë thellë dhimbjen e familjes në këto çaste të rënda pikëllimi”, ka reaguar kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.