Petrovska në takim me drejtorin për planifikim të mbrojtjes në NATO: RMV kontribuon në sigurinë kolektive

Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska sot ka takuar drejtorin e drejtorisë për planifikim të mbrojtjes në Aleancë, Carl Ford, i cili së bashku me ekipin e tij merr pjesë në konsultimet e rregullta bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Aleancës së NATO-s, transmeton Portalb.mk.

Në takim, ministrja Petrovska tha se Maqedonia e Veriut është aleate e përkushtuar dhe aktive e NATO-s që jep një kontribut thelbësor në kuadër të sigurisë kolektive.

“Duke kontribuar në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Rumani dhe Bullgari, Ushtria e Maqedonisë forcon sigurinë kolektive dhe sigurinë e çdo qytetari të Aleancës. Ne mbetemi të përkushtuar për sigurinë rajonale, për të cilën kontribuojmë me pjesëmarrjen tonë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR”, tha ministrja.

Petrovska shtoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të investojë në ushtrinë e saj, ndërsa dëshmi për këtë është fakti se vitin e ardhshëm 2 për qind e prodhimit të brendshëm bruto do të ndahen për mbrojtje, një e treta e të cilave për modernizim dhe pajisje.

Drejtori i Planifikimit të Mbrojtjes Ford përshëndeti kontributin e Maqedonisë së Veriut për sigurinë kolektive, veçanërisht brenda forcës shumëkombëshe të NATO-s në krahun lindor.

Gjatë konsultimeve dypalëshe, të cilat dje dhe sot nga Ministria e Mbrojtjes i udhëhoqi Sekretari i Shtetit, Vladimir Ançev, u diskutua për progresin në zbatimin e objektivave të përcaktuara të kapaciteteve të NATO-s në disa fusha si politika e mbrojtjes, financa, forcat tokësore, logjistika, forcat ajrore, forcat speciale, kapacitetet për stabilizim dhe rindërtim si dhe gatishmërinë civile.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut u bë pjesë e NATO-s zyrtarisht më 30 mars 2020 duke ngritur tre flamuj të RMV-së në të njëjtën kohë, dy në Belgjikë dhe një në ShBA.