Maqedonia e Veriut pjesë e Qendrës evropiane të ekselencës kundër kërcënimeve hibride

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Finlandë, së bashku me drejtoreshën e Qendrës Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride në Helsinki, Teja Tiilikainen, nënshkruan Memorandumin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në këtë qendër duke e bërë vendin e 35 pjesëmarrës, informuan nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), transmeton Portalb.mk.

Osmani theksoi se aderimi i Maqedonisë së Veriut në Qendër po ndodh në një moment jashtëzakonisht domethënës kur e gjithë bota, përfshirë Maqedoninë e Veriut, po përballet me sulme hibride të intensifikuara.

“Në një moment jashtëzakonisht domethënës kur e gjithë bota, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, po ballafaqohet me sulme hibride të intensifikuara, Maqedonia e Veriut po bëhet vendi i 35-të pjesëmarrës i Qendrës Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride.  Bashkimi i Maqedonisë së Veriut në Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër kërcënimeve hibride do të luajë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve nacionale për ballafaqim me këtë lloj sfidash”, tha Osmani.

Gjithashtu, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme punon për të përmirësuar parandalimin, reagimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj infrastrukturës kritike dhe burimeve kryesore nga sektori publik dhe privat, në të cilat ka mbështetje dhe ndihmë nga aleatët dhe vendet partnere.

Në të njëjtën kohë, Qendra mund të shërbejë si një platformë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me vendet pjesëmarrëse të BE-së, në të gjitha segmentet dhe fushat që mbulon aktiviteti i saj, gjë që do të jetë e rëndësishme për procesin e integrimit tonë të mëtejshëm në BE.

Qendra Evropiane eEkselencës kundër Kërcënimeve Hibride është themeluar nën kujdesin e BE-së dhe NATO-s në vitin 2017, e cila është një organizatë e pavarur ndërkombëtare që rrjetzon praktikues dhe ekspertë nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s. Misioni i saj është të forcojë sigurinë e vendeve pjesëmarrëse duke ofruar ekspertizë dhe trajnime, duke ndarë praktikat më të mira, duke bërë rekomandime, duke organizuar ushtrime dhe duke testuar ide dhe qasje të reja.