Procedura për ashensorët e Spitalit të Tetovës nga e para, do të bëhet rivlerësimi i ofertave

Problemi me ashensorët në Spitalin e Tetovës assesi të zgjidhet. Ndonëse kishte shpresë për instalim të ashensorëve të rinj, kjo procedurë në vend se të mbaronte, tani është në fazën e rifillimit të vlerësimit të ofertave, kjo për shkak se ka pasur ankesë kundër vendimit për ofertuesin e zgjedhur, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk bën të ditur se procedura për blerjen, montimin, instalimin dhe vënien në funksion të ashensorëve të rinj në ISHP Spitalin Klinik Tetovë është në fazën e rifillimit të vlerësimit të ofertave.

“Përkatësisht, Ministria e Shëndetësisë kishte marrë vendim për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme. Kundër vendimit për përzgjedhjen e ofertës më të volitshme është parashtruar ankesë dhe është pranuar nga Komisioni Shtetëror për Ankesa pas Prokurimit Publik dhe procedura është kthyer në përpunim dhe vendimmarrje të mëtutjeshme. Pas përfundimit të rivlerësimit do të merret vendim i ri nga personi përgjegjës”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria shtoi se në Spitalin e Tetovës për momentin janë servisuar 6 ashensorë ndërsa për një ashensor pritet konfirmimi nga inspektorati.

Kujtojmë që në muajin maj autoritetet e shëndetësisë premtuan se do të instalohen shtatë ashensorë të rinj në Spitalin e Tetovës.

Ashensorët aktual në Spitalin e Tetovës janë të vjetër dhe vazhdimisht pësojnë defekte, shpesh duke qenë jashtë funksionit për periudha të gjata. Pavarësisht nevojës së madhe për zgjidhjen afatgjate të së njëjtëve, pasi shpesh pacientët dhe kufomat barteshin me duar, autoritetet deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problematikë.