Problemi me ashensorët në Spitalin e Tetovës drejtë fundit, premtojnë autoritetet e shëndetësisë

Problemi shumë vjeçar me mosfunksionimin e ashensorëve në objektet e Spitalit të Tetovës pritet të zgjidhet së shpejti. Autoritetet e shëndetësisë premtojnë se do të instalohen shtatë ashensorë të rinj, transmeton Portalb.mk.

Drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Pëllumb Vela në një deklaratë për media tha se dy ashensorë do të instalohen në kuadër të furnizimeve publike të Spitalit, ndërsa pesë ashensorët e tjerë do t’i sigurojë Ministria e Shëndetësisë.

“Do vendosen ashensorët e rinj, dy në pjesën internistike, katër në pjesën kirurgjike edhe një në pjesën e urgjencës, tek pjesa urgjencës që edhe do të hapet së shpejti, një ashensor punon dhe është në rregull dhe një tjetër do të vendoset i ri”, tha Vela.

Ashensorët në repartin intersnistik në Spitalin e Tetovës (23.01.2023), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ashensorët në repartin intersnistik në Spitalin e Tetovës (23.01.2023), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk thanë se këtë javë do të fillojë procedura për blerjen e lifteve.

“Sa i përket ashensorëve në Spitalin Klinik në Tetovë, këtë javë do të fillojë procedura tenderuese për prokurimin e tyre. Me ashensorë do të pajisen edhe Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjike dhe Klinika Universitare e Stomatologjisë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, ashensorët aktual në Spitalin e Tetovës janë të vjetër dhe vazhdimisht pësojnë defekte, shpesh duke qenë jashtë funksionit për periudha të gjata. Pavarësisht nevojës së madhe për zgjidhjen afatgjate të së njëjtëve, pasi shpesh pacientët dhe kufomat barteshin me duar, autoritetet deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje. Portalb.mkshkurt të këtij viti raportoi për këtë problematikë.