Prindërit ankohen se çmimet e mjeteve shkollore janë rritur derisa nesër fillon viti i ri shkollor
Fillimi i vitit të ri shkollor duket të jetë i vështirë për nga xhepi për prindërit që kanë fëmijë në shkollë. Ata ankohen se çmimet e pajisjeve shkollore janë rritur. Portalb.mk analizoi çmimet e mjeteve shkollore në disa vende.
Nesër fillon viti i ri shkollor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në të gjithë vendin.
Derisa prindërit dhe nxënësit po bëjnë përgatitjet e fundit për në shkollë, Portalb.mk javën që po e lëmë pas vizitoi pika të ndryshme ku shiten mjete shkollore për të parë çmimet.
Çmimet e çantave të shpinës nëpër librari fillojnë nga 500 denarë deri në 3.900 denarë. Ndërsa çmimet e fletoreve me format A4 fillojnë nga 40 – 390 denarë, një stilograf kushton nga 10 – 35 denarë, gomat prej 10 – 30 denarë, gdhendëset fillojnë me çmime nga 10 –90 denarë.
Në një market çantat fillojnë me çmime nga 500 – 1.340 denarë (varet prej markës), ngjyrat e drurit fillojnë me çmime prej 40 – 700 denarë, ngjyrat temper prej 120 – 450 denarë, një komplet i vizoreve kushton 40 – 90 denarë. Lapsat e drurit prej 10 – 30 denarë, gërshërët me çmime prej 40 – 90 denarë dhe kutitë për ushqim fillojnë me çmime nga 100 – 350 denarë.
Çmimet e fletoreve nëpër tregje të tjera fillojnë nga 18 denarë, një fletore me format A4 kushton 49 denarë, ngjyra druri 24 copë kushtojnë 75 denarë, ngjyra tempera 89 denarë, një bllok numër pesë kushton 25 denarë, një stilograf kushton 15 denarë, një marker 122 denarë, vizore të vogla 75 denarë, një kalkulator druri kushton 113 denarë.
Në një treg tjetër çmimet e çantave fillojnë me çmime nga 399 denarë deri në 1,299 denarë. Një fletore e formatit A5 kushton 95 – 199 denarë, fletore për shkrim fillestar 49 denarë, ngjyrat temperë 249 denarë, një bllok numër pesë 99 denarë ndërsa një bllok me vizatime kushton 299 denarë, gërshërët 69 denarë.
Prindërit ankohen, thonë se çmimet kanë pësuar rritje nga vjet.
“Këtë vit fëmija im i tretë fillon vitin shkollor. Çmimet për materialet e fëmijëve parashkollorë ishin më të larta në krahasim me vitin e kaluar. Një çantë shpine vitin e kaluar e kisha blerë 1.300 denarë ndërsa këtë vit të njëjtën çantë e mora 1.600 denarë. Një fletore të formatit A4 me çmim 80 denarë më herët kanë qenë çmimet 40 – 50 denarë për një fletore. Një laps të drurit tash kushton 20 denarë më herët ka qenë 5 denarë. Të gjitha çmimet në përgjithësi i kanë rritur tani nuk mund të blesh diçka më pak se 20 denarë”, tha një prind.
Një tjetër prinde fëmija i së cilës vjet filloi në klasë të parë tha se shpenzimet janë të larta.
“Gjatë fillimit të vitit shkollor, ne shpenzuam rreth 1800 denarë për çantë, rrobat dhe atletet për lëndën e arsimit fizik dhe shëndetësor na kushtuan afër 5500 denarë, kurse materialet shkollore si fletoret, lapsat, ngjyrat, gërshërët, çantë, lapsat dhe ngjyrat kushtuan rreth 700 denarë. Si për filloristë të klasës së parë ne dhamë nga 600 denarë në shkollë për materialet tjera të nevojshme”, tha një nënë.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) më 20 gusht informuan se është në rrjedhë dorëzimi i teksteve shkollore dhe materialeve mësimore të miratuara dhe të botuara të cilat do të përdoren në shkollat fillore dhe të mesme në vitin shkollor 2024-2025. Dorëzimi duhet të përmbyllet para ditës së parë të shkollës – 2 shtator.