Prindër të revoltuar: Derisa nxënësve në Idrizovë u mohohet mësimi në shqip, komuna e intonon himnin maqedonas në shkolla
Përderisa nxënësve shqiptarë në ‘“Njegosh’ të Idrizovës nuk ju mundësohet mësimi në gjuhën amtare nga klasa e pestë e lartë, Komuna e Gazi Babës ka sjellë vendim për intoinimin e himnit maqedonas çdo të hënë nëpër shkolla. Kjo ka shkaktuar revoltë te prindërit shqiptarë, të cilët këtë veprim e quajnë tendencioz, shkruan Portalb.mk.
Vendimi për intonimin e himnit ka shkaktuar reagime të ndryshme, veçanërisht te prindërit shqiptarë në Shkollën Fillore “Njegosh” të Idrizovës, ku prej vitesh kërkohet hapja e një paraleleje në gjuhën shqipe, nga klasa e pestë e lartë. Për ata, vendimi për intonimin e himnit në këtë moment shihet si provokim, pasi kërkesa për paralelen shqipe ende nuk ka marrë zgjidhje.

Prindi Rizvan Seferi për Portalb.mk thotë se vendimi i kryetarit të Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovskit nuk është pritur mirë nga prindërit shqiptarë.
“Vendimin e kryetarit të komunës nuk e kemi pritur aq mirë. Një periudhë, kur ai hyri kryetar komune, e kishte bërë intonimin e himnit, por më pas u ndërpre. Tash përsëri, kjo ështe provokim i madh, sidomos për ne shqiptarët që jemi në shkollën ‘Njegosh’, ku me vite kërkohet paralele në gjuhën shqipe”, tha Seferi.
Sipas tij, problem mbetet fakti se për kërkesën e prindërve shqiptarë për mësim në gjuhën shqipe nuk është gjetur zgjidhje, ndërsa për intonimin e himnit komuna ka marrë vendim.
“Kur bëhet fjalë për paralele shqipe, nuk ka zgjidhje, ndërsa kur bëhet fjalë për intonimin e himnit apo provokime, si komunë është e para për gjithçka”, tha Seferi.
Ndërkohë, ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH). Nga kjo parti thonë se patriotizmi nuk duhet të matet me sa herë këndohet një himn, por me investimet që bëhen në arsim dhe me kushtet që u sigurohen fëmijëve.
“Çfarë po bëhet për nxënësit përtej himnit? Po mbyllen shkolla, po humbin paralele, ndërsa shkolla në Hasanbeg dhe shkolla të tjera përballen me numër të madh nxënësish dhe me mungesë të kushteve elementare. Komuna nuk investon sa duhet në infrastrukturën shkollore, në hapësira të përshtatshme, në pajisje dhe në mjedise dinjitoze për fëmijët”, thonë nga ASH.
Nga ASH theksojnë se, krahas çështjeve të infrastrukturës dhe kushteve në shkolla, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe kërkesave të prindërve për organizimin e mësimit në gjuhën shqipe.
Partia shqiptare VLEN në pushtet nuk e ka komentuar nismën e Komunës së Gazi Babës për intonimin e himnit shtetëror në shkollat e kësaj komune. Nga partia në pushtet, në raste, kanë përmendur edhe mundësinë e intonimit të himnit kombëtar shqiptar, megjithatë pa rezultat në terren.
Vendimi për intonimin e himnit u njoftua javën e kaluar nga kreu i Gazi Babës, Boban Stefkovski.
“Çdo të hënë, mësimi në shkollat fillore në territorin e Komunës së Gazi Babës do të fillojë me këndimin e himnit të Republikës së Maqedonisë. Himni nuk është vetëm një këngë. Është simbol i lirisë sonë, shtetësisë, historisë dhe sakrificës së brezave që luftuan për një Maqedoni të pavarur dhe sovrane”, njoftoi Stefkovski.
Debati për intonimin e himnit në shkollat e Maqedonisë së Veriut nuk është i ri. Nismë e tillë pati edhe në vjeshtën e vitit 2023, kur disa komuna të Shkupit, të drejtuara nga kryetarë të VMRO-DPMNE-së, ndërmorën hapa për intonimin e himnit shtetëror në shkollat fillore.
Në atë kohë, nisma u cilësua si veprim provokues dhe me tendencë për nxitjen e ndarjeve dhe tensioneve mes bashkësive etnike.